Nga Elton Qyno - Syri.net
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë të palëvizur masën e sigurisë Arrest shtëpie për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se vendimi është marrë ditën e sotme nga një gjyqtar i vetëm i cili pasi ka dëgjuar palët 1 ditë më parë, ka vendosur të miratojë vendimin e shkallës së parë, që linte në “Arrest shtëpie”, Vlora Hysenin.
Përmes avokatëve mbrojtës Hyseni kërkoi heqjen e masës së sigurisë, duke caktuar një masë më të butë, me pretekstin se nuk do ti shmangej hetimit dhe një sërë arsyesh të tjera familjare, pasi kishte babain në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndaj Hysenit, GJKKO ka caktuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për përfshirje në skandalin e AKSHI-t, ku dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati.
Për zyrtaren Kosovare Vlora Hyseni, prokuroria e posaçme SPAK ka ngritur akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Nxjerrja e sekreteve hetimore”.
Në pretendimet e saj para Prokurorisë së Posaçme më herët, Hyseni ka deklaruar se kontaktet e saj sistematike me Agasin ishin në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH, duke mohuar takimet nga afër. SPAK thekson se Hyseni nuk kishte vënë në dijeni askënd, asnjë institucion dhe as të tjerë brenda apo jashtë SHISH.
Sipas SPAK, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionet që i duheshin nga Hyseni. Ai ka pranuar edhe se kishte lënë qëllimisht dokumente sekrete në makinën e tij në mënyrë që të gjendeshin kur të kryenin kontrollet.
© SYRI.net