Trajneri gjerman Hansi Flick, pasi pa Barcelonën të fitonte 3-0 ndaj Aston Villa në Champions League, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Camp Nou”, vlerësoi angazhimin mbrojtës të skuadrës së tij.
Ai nuk kishte në dispozicion disa mbrojtës kyç për këtë ndeshje, ndaj vendosi t’i besonte sërish mesfushorit të ri Brian Farinas në rolin e mbrojtësit të djathtë. Ai bëri një paraqitje të mirë në mbrojtje, ndërsa Barcelona arriti ta mbante portën të paprekur në një ndeshje evropiane për herë të parë pas 19 muajsh.
Ky fakt e gëzoi shumë trajnerin gjerman: “Gjëja më e mirë në këtë ndeshje është fakti që nuk pësuam gol. Jam shumë i kënaqur me këtë, sepse u mbrojtëm ndaj një sulmi shumë të fortë, siç është ai i Aston Villa”.
“Kjo ishte e rëndësishme. Ata janë një skuadër e shkëlqyer. Ne u mbrojtëm mirë dhe jemi të kënaqur me atë që pamë në fazën mbrojtëse. Të gjithë dhanë maksimumin për ta mbajtur portën të paprekur, ndërsa në sulm arritëm të shënonim. Jemi të lumtur“, tha Flick.
“Kjo është filozofia jonë e lojës. Ne përpiqemi të ushtrojmë presion shumë lart, në mënyrë që kundërshtarët të bëjnë gabime”, tha Flick, që vlerësoi edhe sulmin. Tani, vëmendja e Barcelonës zhvendoset te një tjetër ndeshje e rëndësishme këtë fundjavë, kundër Atletico në La Liga.







