“Merita duhet të funksionojë në të dyja drejtimet”, ministri Ferit Hoxha mesazh BE-së nga Berlini për zgjerimin

04/11/2026 12:57

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë vizitës në Berlin, mori pjesë në panelin “Evropa në zgjerim: Argumenti për Zgjerimin”, ku theksoi se anëtarësimi i vendeve kandidate në Bashkimin Evropian përbën një investim strategjik në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe fuqinë gjeopolitike të Evropës.

Në diskutim morën pjesë edhe Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Gjermanisë, Günther Krichbaum, dhe Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj.

Në një postim mbi diskutimin, Ministri Hoxha nënvizoi konsensusin e gjerë kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe angazhimin për ta përkthyer atë në reforma dhe rezultate konkrete.

“Për ne, integrimi evropian nuk ka të bëjë me të dukurit gati. Ka të bëjë me të qenit gati. Me reforma, zbatim dhe me marrjen e vendimeve të nevojshme për t’u bërë një anëtar plotësisht funksional i familjes evropiane”, u shpreh ai.

Ministri veçoi tre parime thelbësore për suksesin e zgjerimit: besueshmërinë, drejtësinë dhe progresin e prekshëm.

Ai theksoi nevojën për një udhërrëfyes të qartë, objektiva të matshëm dhe një proces të bazuar në meritë, ku përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate të shoqërohet me përgjigjen përkatëse të BE-së.

“Merita duhet të funksionojë në të dyja drejtimet: kur vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, Evropa duhet të përgjigjet”, theksoi Ministri Hoxha.

Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e integrimit gradual përpara anëtarësimit formal, duke u mundësuar qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të përjetojnë përfitimet dhe përgjegjësitë e integrimit, paralelisht me avancimin e reformave.

Duke iu referuar Berlinit si simbol i kapërcimit të ndarjeve dhe i ribashkimit evropian, Ministri Hoxha bëri thirrje për vendime të guximshme në një kohë kërcënimesh hibride, ndërhyrjesh të huaja, dezinformimi dhe konkurrencës gjeopolitike.

“Zgjerimi mund të rezultojë një nga investimet më efikase që Evropa mund të bëjë për sigurinë e saj”, përfundoi ai.

Top Channel