Një 61-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në rrethana tragjike në Itali. Viktima është identifikuar si Bashkim Rushani, banues në Casarano, në provincën e Lecces.
Rushani, i cili ishte pronar i një kompanie ndërtimi, po kryente punime në një ndërtesë kur një portë metalike është shembur dhe e ka zënë poshtë. Pavarësisht ndihmës së parë të dhënë në vendngjarje, 61-vjeçari nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vend, por mjekët mundën vetëm të konstatonin vdekjen e tij.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit tragjik.