
Debati për reagimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore ka sjellë përplasje mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, dhe kryetarit të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i PS-së, Bledi Çuçi. Gjatë mbledhjes së Komisionit, Kapri ngriti shqetësime për mënyrën se si Policia ka ndërhyrë ndaj protestuesve, duke pretenduar se është përdorur forcë joproporcionale. Ai vuri në pikëpyetje edhe rritjen e pagave dhe shpërblimet për efektivët, duke i lidhur ato me shtypjen e protestave.
Duke paraqitur fotografi të personave që, sipas tij, janë dhunuar nga efektivët, deputeti kërkoi shpjegime për përdorimin e pajisjeve policore, gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe arrestimet e kryera gjatë tubimeve. “Rritja e pagave dhe shpërblimi pas protestës, e cila vijon duke u shtypur. Dua të di sa ka kushtuar blerja e dy autobotëve që hedhin ujë, nëse janë dhuruar, dua të di nga kush?”, deklaroi Kapri.
Ai kërkoi të dijë nëse ka nisur ndonjë procedim ndaj efektivëve për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve dhe ngriti pikëpyetje për ndërhyrjen e forcave Shqiponja. Deklaratat e Kaprit sollën reagimin e menjëhershëm të Bledi Çuçit, i cili e akuzoi deputetin se po paraqiste vetëm njërën anë të ngjarjeve, duke lënë jashtë sulmet ndaj punonjësve të Policisë. Çuçi theksoi se gjatë protestave ka pasur edhe efektivë të plagosur, të cilët ndodhen ende në spital, ndërsa i kërkoi Kaprit të mos anashkalojë përdorimin e molotovëve dhe mjeteve të tjera kundër uniformave blu.
“Unë sigurisht që do të kisha ndjeshmërinë e duhur nëse ti do të ishe i sinqertë në këto që thua. Por mungesa e sinqeritetit fillon në momentin kur ti nuk thua gjysmë fjale për ata policë që janë në krye të detyrës dhe janë akoma në spital”, iu përgjigj Çuçi.
Kreu i Komisionit përmendi sulmet me bomba molotov dhe armë zjarri ndaj efektivëve, duke argumentuar se edhe dhuna e ushtruar ndaj Policisë duhet të jetë pjesë e debatit. “Janë dhunuar barbarisht me bomba molotov, armë zjarri e zhdukjes në masë. I thoni këto në një moment kur shqiptarët i shohin në të gjithë Europën sesi i trajton policia protestat e dhunshme”, deklaroi Çuçi.
