
Futbolli spanjoll është në zi pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit të Tenerife, Jesús de Miguel Alameda, i cili humbi jetën pas një përplasjeje të rëndë në fushën e lojës me portierin e Andorrës, Oëono.
Ngjarja ka tronditur opinionin sportiv në Spanjë, ndërsa tashmë në tryezën e drejtuesve të La Liga-s është hedhur edhe mundësia e pezullimit të të gjitha ndeshjeve të fundjavës, si në elitën e futbollit spanjoll, ashtu edhe në kategorinë e dytë.
Sipas raportimeve të mediave iberike, veçanërisht të radios SER, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, po shqyrton seriozisht mundësinë e shtyrjes së kampionatit. Për këtë çështje janë zhvilluar edhe takime paraprake, ndërsa një vendim përfundimtar pritet të merret në orët në vijim dhe t’u komunikohet zyrtarisht klubeve.
Deri më tani është konfirmuar shtyrja pa një datë të re e ndeshjes Granada-Tenerife, e planifikuar për të shtunën në orën 21:00. Mbetet për t’u parë nëse vendimi do të shtrihet edhe në të gjithë javën e 13-të të kampionatit të kategorisë së dytë.
Ndërkohë, Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur më herët të shtyjë ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe Kupës së Mbretëreshës, ndërsa është anuluar edhe prezantimi zyrtar i miqësores së Spanjës U21 me Japoninë.
Presidenti Javier Tebas ka shprehur publikisht dhimbjen për humbjen e futbollistit.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Jesús de Miguel Alameda. Të gjithë ndajmë dhimbjen e madhe për këtë humbje të parikuperueshme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, njerëzit e afërt, shokët e skuadrës dhe të gjithë klubin. U dërgoj mbështetjen dhe përqafimin tim në këto momente të vështira. Pusho në paqe”, shkroi Tebas.
