Policia ka zbardhur grabitjen me dhunë të një pike karburanti në Klos, ku dy persona dhunuan punonjësin dhe i morën xhiron ditore të turnit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Koordinimi”, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit, përkatësisht 22 dhe 21-vjeç.
Të lidhura
None found
Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:10 të datës 3 nëntor 2026. Sipas policisë, dy persona të paidentifikuar në atë moment kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të karburantit, shtetasit me inicialet S. M., dhe më pas i kanë marrë një shumë parash që përfaqësonte xhiron e turnit.
Pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i dy të dyshuarve: J. L., 22-vjeç, banues në fshatin Dars, Klos, dhe M. D., 21-vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.







