Vrasja e Arlindës zbulon boshllëqet në mbrojtjen e grave, Plakolli Kasumi ngre shqetësimin për kushtet dhe mungesën e psikologëve

Mangësitë në mbrojtjen e grave, të nxjerra në pah nga vrasja e Arlinda Zekajt, ishin pjesë e shqetësimeve që Luljeta Plakolli Kasumi, eksperte nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), paraqiti sot në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Duke folur për Qendrat për Punë Sociale, ajo e cilësoi gjendjen të papërshtatshme për shkak të mungesës së kushteve dhe të psikologëve. Sipas saj, ka edhe raste kur viktimave u thuhet se nuk ka vend për to.

Të lidhura

None found

Plakolli Kasumi sqaroi se nuk ua ngarkon fajin punonjësve të këtyre qendrave, shumë prej të cilëve i ka takuar gjatë viteve. Ajo tha se ata përpiqen të bëjnë gjithçka që munden, por mungesa e financimit dhe e kushteve ua kufizon mundësitë për të vepruar.

Sipas ekspertes, vrasja e Arlindës i ka bërë të dukshme të gjitha këto boshllëqe. Ajo theksoi se, që nga nisja e diskutimeve për strategjinë, Arlinda është e katërta në listë, duke e përshkruar situatën si shumë të rëndë dhe dekurajuese.

Duke përmendur se Kuvendi ka ngritur edhe Komisionin hetimor, Plakolli Kasumi sugjeroi të shqyrtohet një mënyrë e ndarjes së punës që do të shmangte mbivendosjen e veprimeve.

Shqetësime ajo ngriti edhe për funksionimin e drejtësisë, ku, sipas saj, problemet e shumta cenojnë drejtpërdrejt besimin e grave te sistemi. Si shembull përmendi raportimet për seanca që shtyhen vazhdimisht për shkak të mungesës së të pandehurit, si dhe rastin e Diana Kastratit, për të cilin aktakuza në mungesë u ngrit vetëm tani, pas 15 vitesh.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor 2026, ndërsa për vrasjen dyshohet kunati i saj. Ajo kishte paralajmëruar rrezikun që i kanosej jetës përmes një parashtrese të dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Pejë vetëm 4 ditë përpara ngjarjes. Vrasja u pasua nga protesta dhe reagime të shumta për përgjegjësinë institucionale. Për mënyrën e trajtimit të rastit, Policia e Kosovës suspendoi 11 zyrtarë policorë.


Shtuar më 4.11.2026 12:25