Sejko: Me pagesat elektronike mund të kursejmë më shumë se 400 milionë euro në vit

Përdorimi i pagesave elektronike dhe sistemi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë ekonomisë më shumë se 400 milionë euro në vit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot në konferencën e 8-të ndërkombëtare mbi skemat rajonale të kartave dhe infrastrukturat e tregut financiar me vlerë të vogël, se sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së.
Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit.
Guvernatori theksoi se vlera e kësaj infrastrukture shkon përtej shpejtësisë së një transferte. Ajo krijon mundësi për shërbime të reja, zgjeron përdorimin e pagesave elektronike dhe mbështet digjitalizimin e aktivitetit ekonomik.
“Në këtë proces, edhe skemat e kartave dhe infrastrukturat e tjera të pagesave me vlerë të vogël kanë një rol të rëndësishëm. Zgjidhjet e ndryshme duhet të zhvillohen në një mjedis që nxit konkurrencën, bashkëveprimin dhe zgjedhjen e përdoruesit. Për tregjet tona, rëndësi ka që shërbimet të jenë gjerësisht të përdorshme dhe që kostot e pranimit të pagesave elektronike të jenë të përballueshme edhe për bizneset e vogla. Modernizimi i pagesave i shërben drejtpërdrejt edhe formalizimit të ekonomisë. Transaksionet elektronike e bëjnë më të dokumentueshëm aktivitetin e biznesit dhe ndihmojnë në krijimin e një historiku financiar më të besueshëm. Kjo mund të lehtësojë vlerësimin e aftësisë paguese dhe aksesin në kredi, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla. Një ekonomi më formale krijon kushte më të drejta konkurrence dhe një bazë më të qëndrueshme për financimin e investimeve,” tha Sejko.
Gjatë dekadës së fundit, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një program të gjerë modernizimi të tregut të pagesave. Objektivat kanë qenë ulja e përdorimit të parasë fizike, zgjerimi i përfshirjes financiare, rritja e konkurrencës dhe përafrimi me standardet evropiane. Këta objektiva kanë orientuar si investimet në infrastrukturë, ashtu edhe përmirësimet e kuadrit ligjor e rregullator.
Rezultatet, sipas Guvernatorit, janë të matshme. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, krahasuar me 5 një dekadë më parë, ndërsa ritmi i rritjes së tyre është rreth 25% në vit. Kartat në qarkullim kanë arritur në 1.6 milionë. Gjithashtu, gjatë vitit 2025, për herë të parë, kartat u përdorën më shumë për pagesa sesa për tërheqje të parasë fizike. Këta tregues dëshmojnë një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e përdoruesve dhe në marrëdhënien e tyre me shërbimet financiare.
Një arritje me rëndësi të veçantë është anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA. Guvernatori tha se ulja e kostove dhe përmirësimi i shërbimit kanë vlerë të drejtpërdrejtë për sipërmarrjet që tregtojnë me partnerët evropianë, për familjet që marrin remitanca dhe për shqiptarët që jetojnë, punojnë apo studiojnë jashtë vendit.
“Përfitimet nga pjesëmarrja në SEPA shprehen edhe në kursime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Transfertat në Euro drejt vendeve pjesëmarrëse në SEPA kushtojnë deri në 20 herë më pak krahasuar me periudhën përpara anëtarësimit. Kursimet e pritshme për ekonominë shqiptare vlerësohen mbi 71 milionë euro në vit. Ulja e këtyre kostove lehtëson tregtinë dhe dërgimin e remitancave, nxit përdorimin e kanaleve formale dhe e bën integrimin financiar evropian të prekshëm për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare,” tha ai.
Në këtë kuadër, edhe qeveria shqiptare ka ndërmarrë nisma si “Shqipëria Cashless”, që synon zgjerimin e pagesave digjitale dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Zgjerimi i pajisjes së pikave të shitjes me terminale POS/POI, fiskalizimi dhe faturimi elektronik janë masa plotësuese që mbështesin transparencën dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik. Suksesi i tyre kërkon që detyrimet të shoqërohen me shërbime të thjeshta, kosto të përballueshme dhe informim të qartë për bizneset e qytetarët.
“Të gjitha këto nisma kontribuojnë në thellimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Pjesëmarrja në SEPA, zhvillimi i pagesave të menjëhershme dhe përafrimi i kuadrit rregullator me standardet evropiane krijojnë lidhje më të ngushta ndërmjet sistemit tonë financiar dhe tregut të përbashkët evropian. Në këtë mënyrë, integrimi financiar po sjell përfitime të prekshme për ekonominë shqiptare, duke e afruar vendin me tregun e përbashkët edhe përpara anëtarësimit,” u shpreh Sejko.
Sipas tij, modernizimi duhet të ecë paralelisht me forcimin e qëndrueshmërisë operacionale. Sa më shumë mbështetemi te shërbimet digjitale, aq më e rëndësishme bëhet mbrojtja ndaj kërcënimeve kibernetike, ndërprerjeve të shërbimit dhe rreziqeve që lidhen me varësinë nga ofruesit e teknologjisë.
“Për bankat qendrore, besimi i publikut lidhet ngushtë me aftësinë e sistemeve për të funksionuar edhe në kushte të vështira. Prandaj, vijimësia e shërbimeve, mbrojtja e të dhënave dhe parandalimi i mashtrimeve duhet të jenë pjesë e çdo projekti që nga konceptimi i tij.
Përfshirja financiare mbetet gjithashtu një kusht për suksesin e këtyre reformave. Një shërbim modern ka vlerë kur njerëzit mund ta përdorin dhe e kuptojnë. Kjo kërkon edukim financiar, zgjidhje të thjeshta dhe vëmendje ndaj grupeve me më pak aftësi digjitale. Me vështrimin nga e ardhmja, prioriteti ynë është t’i kthejmë investimet në infrastrukturë dhe reformat rregullatore në përdorim më të gjerë dhe përfitime të matshme.
Kjo kërkon angazhim të përbashkët: nga autoritetet për një kuadër të besueshëm, nga sektori financiar për shërbime cilësore dhe nga partnerët tanë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojës. Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë këtë bashkëpunim, në funksion të një tregu pagesash më efikas dhe më gjithëpërfshirës,” tha Guvernatori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









