Skandalet e njëpasnjëshme të “Raiffeisen Bank”, pse hesht guvernatori me imunitet?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.11.2026, 11:56

Sistemi bankar në Shqipëri po kalon një nga momentet e tij më kritike sa i takon sigurisë së depozitave dhe mbrojtjes së klientëve. Ngjarjet e fundit tek "Raiffeisen Bank", ku grabitjet fizike të filialeve shoqërohen me denoncime tronditëse për zhdukje misterioze të parave nga llogaritë përmes ATM-ve dhe transaksioneve të paautorizuara, dëshmojnë një panoramë të frikshme të mungesës së kontrollit.

Ndërkohë që qytetarët mbeten të pafuqishëm përballë dyerve të mbyllura të bankave, pyetja që ngrihet me forcë është se pse hesht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përballë këtij skandali të përsëritur. Përballë një serie ngjarjesh tronditëse, presim ende një reagim zyrtar prej tij, pasi kur llogaritë e qytetarëve zbrazen përmes skemave të dyshimta "tërheqje në ATM" pa autorizimin e tyre, detyra e parë e Bankës së Shqipërisë është ndërhyrja e menjëhershme dhe dërgimi i inspektorëve për të audituar sistemet e sigurisë.

Bankat nuk janë thjesht kompani tregtare, pasi ato menaxhojnë djersën dhe kursimet e një kombi të tërë, por sjellja e dëshmuar nga rasti i fundit në Vlorë ku u zhdukën 220 mijë lekë, si dhe denoncimet e tjera për shuma të konsiderueshme, tregon një standard arrogant. Në vend që të ofrojnë shpjegime teknike dhe të kthejnë paratë e vjedhura, banka zgjedh heshtjen ose refuzimin për të komunikuar me klientin, ndërsa kur qytetarët denoncojnë se u janë grabitur mijëra euro dhe nuk lejohen as të futen në ambientet e saj, kemi të bëjmë me një degradim total të etikës korporative.

Është koha që Gent Sejko të heqë dorë nga strukja frikacake pas mureve të Bankës së Shqipërisë dhe të mos bëjë sikur nuk kupton çfarë po ndodh, sepse heshtja e tij nuk është thjesht një shpërfillje institucionale, por një bashkëfajësi e hapur prej kumari me djersën e shqiptarëve. Kur kreu i mbikëqyrjes financiare mbyll sytë ndaj gjakosjes së llogarive të qytetarëve dhe braktisjes së tyre në mëshirë të fatit, ai nuk është më garant i sistemit, por vegël e një paligjshmërie të toleruar që kërkon ndëshkim të menjëhershëm e jo luks zyrtarësh të papërgjegjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit