E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama “hap thesin” për policët, jep 3.3 miliardë lekë për rritjen e pagave
Lajme

Rama “hap thesin” për policët, jep 3.3 miliardë lekë për rritjen e pagave

Qeveria ka parashikuar një fond shtesë prej 3.3 miliardë lekësh për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2027. Pjesën më të madhe të përfitimeve do ta kenë efektivët me gradën Inspektor, për të cilët paga për gradë parashikohet të rritet me 20 mijë lekë në muaj.

Projektbuxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin e ardhshëm është rreth 40 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Të dhënat u prezantuan nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.

Sipas parashikimeve buxhetore, nga kjo rritje do të përfitojnë 8,174 punonjës policie me gradën Inspektor, të cilët përbëjnë rreth 73% të personelit me grada në Policinë e Shtetit.

Aktualisht, paga për gradë e kësaj kategorie është 73 mijë lekë, ndërsa pas ndryshimit të parashikuar do të arrijë në 93 mijë lekë në muaj. Nëse llogaritet edhe efekti i vjetërsisë në punë, shtesa mesatare mujore pritet të jetë 23,600 lekë, që përfaqëson një rritje prej rreth 27%.

Për efektivët që mbajnë grada të tjera, parashikohen gjithashtu përmirësime të trajtimit financiar. Shtesat mujore do të variojnë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë, në varësi të gradës, ndërsa rritja mesatare, duke përfshirë edhe vjetërsinë në punë, llogaritet nga 8% deri në 17%.

Nga ana tjetër, për sektorin e rendit është parashikuar një buxhet prej 36.7 miliardë lekësh, ku përfshihet edhe financimi shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Rritja e pagave ishte paralajmëruar më herët nga ministri Ervin Demo, më 7 tetor, gjatë aktivitetit për çeljen e vitit të ri në Akademinë e Sigurisë. Ai e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një nga rritjet më të rëndësishme në historinë e trajtimit financiar të efektivëve.

Përveç pagave, projektbuxheti për vitin 2027 parashikon edhe fonde për modernizimin e Policisë së Shtetit, përmes investimeve në teknologji, pajisje dhe infrastrukturë. Në fokus është edhe forcimi i kapaciteteve të pushtetit vendor, një tjetër fushë që është pjesë e përgjegjësive të Ministrisë së Brendshme.

Megjithatë, krahas mbështetjes financiare, ministri Demo ka vënë theksin edhe te nevoja për më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm nga uniformat blu. Sipas tij, përmirësimi i trajtimit ekonomik duhet të shoqërohet me disiplinë, integritet, zbatim të ligjit dhe respektim të të drejtave të qytetarëve.

Kështu, ndërsa fondet për rritjen e pagave janë përcaktuar në projektbuxhet, mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi konkret do të ketë kjo ndërhyrje në cilësinë e shërbimit policor dhe në besimin e qytetarëve te uniformat blu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.