Kryebashkiaku Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin spitalor, që ndodhet brenda të njëjtit institucion të vuajtjes së dënimit në Fier.
Deri më tani nuk dihet nëse kjo lëvizje ka lidhje me vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit.
Avokati mbrojtës Plarenc Ndreca por edhe vetë kryebashkiaku, përmes një letre zbërtheu detajet e vizitës sekrete të Gogut, duke deklaruar se ministri i kishte dërguar kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Veliaj tha se Gogu i kishte përcjellë porositë e Ramës ku i kërkohej të jepte dorëheqjen si kryebashkiak dhe të delegonte pushtetin, pasi në të kundërt do të kalbej në burg.Sipas kryebashkiakut, Rama akuzon Veliajn se qëndron pas protestave të dhunshme në Tiranë, por ai e sfidoi kreun e qeverisë që faktojë akuzat e tij ose në të kundërt të japë dorëheqjen.
Në seancën e djeshme në GJKKO, Veliaj nuk mori pjesë, por përmes një letre iu drejtua gjykatës duke e informuar me zhvillimet e fundit. Nga ana e saj, gjatë seancës në prani të avokatit Plarent Ndreca, GJKKO pohoi se nuk ishte njoftuar për transferimin e Veliajt nga Durrësi për në paraburgimin e Fierit.





