Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në Vlorë, të dyshuar për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike, si dhe për kryerjen e disa vjedhjeve.
Në pranga ka rënë një 49-vjeçar me inicialet Y. D., banues në Bishan, i akuzuar për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij më 31 tetor 2026, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan rreth 12 kilogramë Cannabis Sativa dhe 6 bimë të dyshuara narkotike.
Po ashtu, është arrestuar një 50-vjeçar me inicialet A. K., banues në Vlorë, i dyshuar për kryerjen e pesë vjedhjeve gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti.
Sipas hetimeve paraprake, 50-vjeçari dyshohet se ka vjedhur shuma parash, një portofol, laptopë dhe telefona celularë në subjekte dhe ndaj shtetasve të ndryshëm në qytetin e Vlorës.
Policia bën me dije se materialet procedurale për të dy rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













