
Vdekja e futbollistit të Tenerife, Jesús De Miguel, ka tronditur thellë botën e futbollit, duke prekur edhe emra të njohur të futbollit ndërkombëtar.
Një prej lojtarëve që e ka përjetuar veçanërisht rëndë këtë tragjedi është sulmuesi i Barcelonës, Raphinha. Pas fitores 3-0 ndaj Aston Villës në Champions League, braziliani foli për gjendjen e tij emocionale, duke pranuar se lajmi për ndarjen nga jeta të kolegut të tij e kishte tronditur dhe se gjatë ditës kishte pasur vështirësi për t’u përqendruar te ndeshja.
“Për mua, sinqerisht, ishte shumë e vështirë. Sot, kur u zgjova dhe pashë lajmin, fola me bashkëshorten time. Natyrisht, nuk ndihesha mirë. Kisha një ndjesi shumë të keqe”, u shpreh sulmuesi brazilian.
Ajo që e ka prekur më shumë Raphinhën është fakti se një ngjarje e tillë tragjike mund t’i ndodhë çdo futbollisti, pavarësisht nivelit apo eksperiencës.
“Në fund të fundit, ai është një koleg dhe diçka e tillë mund t’i ndodhë kujtdo. Mund të më ndodhë edhe mua, apo çdo futbollisti tjetër që zbret sot në fushë”, deklaroi lojtari i Barcelonës.
Fjalët e tij tregojnë tronditjen që ka shkaktuar kjo ngjarje në mesin e futbollistëve, duke i bërë ata të reflektojnë mbi rreziqet që mund të shoqërojnë profesionin e tyre.
Raphinha pranoi se fakti që Jesús De Miguel ishte pothuajse bashkëmoshatar i tij e kishte bërë edhe më të vështirë përballimin e lajmit.
“Për më tepër, ai ishte një futbollist i moshës sime. Nuk e di nëse kjo është arsyeja pse jam prekur edhe më shumë, por sot nuk kam kaluar aspak një ditë të mirë për shkak të këtij lajmi”, përfundoi braziliani.
