Zbulohet identiteti i viktimës që humbi jetën në rrethana misterioze në Bulqizë.
Bëhet fjalë për 62-vjeçarin Urim Fiku, i cili ndërroi jetë pas ngjarjes së rëndë që fillimisht u raportua si sulm nga një ari.
Por, detaje të reja kanë dalë në dritë, pasi Policia po heton edhe pistën e vrasjes. Në trupin e 62-vjeçarit është gjetur një plumb në kraharor, çka ka ngritur dyshimet se ai mund të jetë qëlluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve, pas ngjarjes, Fiku ka arritur të largohet nga vendi ku ishte plagosur dhe të afrohet deri pranë banesës së tij. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të mbijetuar, ai ka ndërruar jetë.
Ngjarja tragjike ka tronditur komunitetin e zonës, ndërsa rrethanat e plota mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga hetimet.












