Pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ në ligjin për tubimet, ditën e djeshme disa protestues janë gjobitur me nga 5 mijë lekë të reja për bllokim të rrugës, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
“Më datë 03.11.2026 në vendin e quajtur bulevardi 'Dëshmorët e Kombit', përpara Kryeministrisë, disa shtetas, midis tyre edhe shtetasja e lartpërmendur, ka kryer bllokimin e rrugës automobilistike me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit të cilëve u është bërë thirrje me megafon për lirimin e rrugës, thirrje e cila u refuzua”, thuhet në argumentin e efektivit të Policisë, të shkruar në fletën e gjobës ndaj një protestueseje.
Ndërkohë edhe për protestën e datës 2 nëntor, u vendosën 16 gjoba për bllokim të qarkullimit rrugor, të cilat ishin edhe të parat e vendosura, pas hyrjes në fuqi të aktit normativ.
Në protestën që vijon prej më shumë se 3 javësh tashmë, për ditë të tëra nuk u kursyen policët, institucionet, bizneset dhe prona publike.
Pas sulmeve të vazhdueshme nga persona të maskuar me gurë e molotovë, kryeministri Rama prezantoi paketën anti-dhunë, e cila parashikon ashpërsimin e masave për protestuesit e dhunshëm, por edhe për qytetarët që bëhen pjesë e protestave të dhunshme.








Komente
Komento