Lajmi për vdekjen e Jesus De Miguel tronditi të hënën futbollin spanjoll. Sulmuesi i Tenerifes, 30 vjeç, pësoi arrest kardiak pas një përplasjeje në fushë me portierin e Real Oviedos, Jesus Owono.
Pas ngjarjes, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit shtyu për tri ditë të gjitha ndeshjet vendore. Takimet e Ligës së Kampionëve, ndërkohë, u zhvilluan sipas kalendarit.
Të lidhura
None found
Një prej lojtarëve që e përjetoi rëndë lajmin ishte sulmuesi i Barcelonës, Raphinha. Braziliani pranoi se të martën, gjatë fitores ndaj Aston Villas në Ligën e Kampionëve, e pati jashtëzakonisht të vështirë ta mbante mendjen te futbolli.
Pas ndeshjes, Raphinha foli për Movistar. Dukshëm i prekur, ai u ndal te humbja njerëzore në vend që të komentonte fitoren e skuadrës së tij.
“Shpresoj që De Migueli të gjejë rrugën e tij, kudo që të jetë. Familjes së tij dua t’i dërgoj forcë… Sot nuk dua të flas për futboll”, tha ai.
Braziliani tregoi se nuk ishte ndier mirë pasi kishte parë lajmin. De Miguel ishte futbollist si ata, tha ai, dhe e njëjta gjë mund t’i kishte ndodhur kujtdo: “Mund të më kishte ndodhur edhe mua”.
Raphinha shtoi se e kishte veçanërisht të vështirë të hynte në fushë në ato rrethana. Sipas tij, fakti që De Miguel ishte i së njëjtës moshë mund të shpjegonte përse ngjarja e kishte prekur aq thellë.






