Fitorja e demokratëve në SHBA vë në lëvizje tregjet, dollari dhe bursat në rënie

Tregjet globale të aksioneve ranë dhe dollari amerikan zbriti në nivelin më të ulët të një muaji të mërkurën, më 4 nëntor, pasi demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan. Investitorët reaguan ndaj perspektivës së kufizimit të politikave ekonomike të Presidentit Donald Trump dhe mundësisë së rregullave më të ashpra për industrinë e inteligjencës artificiale.
Kontratat e së ardhmes për indekset kryesore amerikane dhe europiane ranë, ndërsa investitorët u orientuan drejt obligacioneve qeveritare dhe valutave të konsideruara më të sigurta. Indeksi i dollarit humbi 0.37%, duke zbritur në 101.34 pikë, ndërsa yield-i i obligacioneve dhjetëvjeçare amerikane ra me gjashtë pikë bazë, në 4.906%, sipas Reuters.
Humbjet më të mëdha u regjistruan në aksionet e lidhura me inteligjencën artificiale, sektori që ka mbështetur një pjesë të konsiderueshme të rritjes së bursave amerikane. Në Azi, prodhuesit e gjysmëpërçuesve Samsung Electronics, SK Hynix dhe TSMC pësuan rënie të forta, përpara se të rikuperonin një pjesë të humbjeve.
Investitorët shqetësohen se kontrolli demokrat i Kongresit mund të sjellë mbikëqyrje më të rreptë të kompanive teknologjike dhe kufizime për ndërtimin e qendrave të të dhënave.
Vëmendja është përqendruar veçanërisht te Teksasi, një nga qendrat kryesore të investimeve në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, ku kundërshtimi ndaj projekteve të reja mund të ndikojë në planet e zgjerimit të industrisë.
Dobësimi i dollarit u shoqërua me forcimin e euros, jenit japonez dhe frangës zvicerane. Rënia e yield-eve të obligacioneve amerikane pasqyroi kërkesën më të lartë për titujt e borxhit qeveritar, ndërsa tregjet rivlerësuan perspektivën e shpenzimeve federale dhe politikës fiskale.
Megjithatë, humbjet fillestare të kontratave të së ardhmes u zbutën gjatë tregtimit, pasi investitorët vlerësuan kufizimet që sistemi politik amerikan vendos mbi ndryshimet legjislative.
Presidenti Trump ruan kompetencën e vetos, ndërsa demokratët nuk kanë shumicën e nevojshme për të miratuar pa pengesa legjislacionin më të diskutueshëm.
Përveç teknologjisë, rezultatet zgjedhore kanë shtuar pasigurinë për bankat, sektorin e shëndetësisë dhe industrinë e mbrojtjes. Tregjet po ndjekin gjithashtu ndikimin e mundshëm të përplasjeve politike mbi buxhetin federal dhe perspektivën e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









