
Çmimet e naftës u rritën këtë të mërkurë, pas luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa investitorët vlerësojnë ecurinë e furnizimit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, përcjell Reuters.
Nafta Brent u rrit me 76 centë, ose 0.7%, duke arritur në 104.36 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) fitoi 63 centë, ose 0.7%, dhe u tregtua me 96.72 dollarë për fuçi. Të dy treguesit rikuperuan kështu rëniet e regjistruara më herët gjatë seancës.
Në seancën e mëparshme, çmimi i Brent kishte zbritur në nivelin më të ulët të gati katër javëve, ndërsa tregtarët po vlerësonin mundësinë e negociatave për përfundimin e konflikteve në Ukrainë dhe Iran.
Një nga faktorët që vijon të ndikojë në treg është rreziku i ndërprerjes së furnizimit përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për transportin ndërkombëtar të naftës. Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në rajon po ndiqen nga afër nga investitorët.
Në mbështetje të çmimeve kanë ndikuar edhe të dhënat paraprake për rezervat amerikane të naftës bruto. Sipas Institutit Amerikan të Naftës, rezervat ranë me 5.27 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 30 tetor. Kjo shifër ndryshon nga parashikimet e analistëve të pyetur nga Reuters, të cilët prisnin një rritje mesatare prej rreth 880 mijë fuçish.
Gjatë së njëjtës periudhë, rezervat e benzinës u rritën me 1.43 milionë fuçi, ndërsa ato të produkteve të distiluara ranë me 1.19 milionë fuçi. Sipas Haitong Futures, të dhënat janë përgjithësisht mbështetëse për çmimet, veçanërisht për shkak të nivelit të ulët të rezervave të naftës për automjete.
Tregu pret publikimin e të dhënave zyrtare nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë, të planifikuar për këtë të mërkurë në orën 15:30 GMT, të cilat pritet të japin një panoramë më të plotë mbi gjendjen e rezervave në SHBA.