Bota

I mbijetoi ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës, zbulohet se e dënuara me vdekje vuan nga një formë e rrallë kanceri!

Krista Pike, 50-vjeçarja e dënuar me vdekje në SHBA, vuan nga një formë e rrallë e kancerit të gjakut, sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike së fundmi. Zbulimi vjen vetëm disa javë pasi ajo i mbijetoi në mënyrë të papritur ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës, në një rast që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve të siguruara nga revista PEOPLE, avokatët e saj kishin paralajmëruar autoritetet për gjendjen e rënduar shëndetësore të Pike, duke argumentuar se sëmundja mund ta bënte ekzekutimin veçanërisht të dhimbshëm dhe të shkaktonte vuajtje të panevojshme.

Në padinë e paraqitur në gjykatë thuhet se numri i trombociteve në gjakun e saj ishte rritur ndjeshëm, një tregues që mund të lidhet me një çrregullim mieloproliferativ, një sëmundje e rrallë që prek prodhimin e qelizave të gjakut në palcën e kockave.

Avokatët ngritën gjithashtu shqetësime për problemet me venat dhe rrezikun e edemës pulmonare, një gjendje që shkakton grumbullimin e lëngjeve në mushkëri dhe mund të sjellë vështirësi të rënda në frymëmarrje.

Sipas ekipit të saj ligjor, këto probleme mund të shkaktonin dhimbje, ndjesi mbytjeje dhe vuajtje shtesë gjatë procedurës së ekzekutimit.