E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë po ndodh në Rinas? Forca të shtuara të emergjencave shfaqen në aeroport
Lajme

Çfarë po ndodh në Rinas? Forca të shtuara të emergjencave shfaqen në aeroport

Një numër i shtuar automjetesh të emergjencës dhe forcash të kërkim-shpëtimit pritet të jetë i pranishëm gjatë paradites së sotme në zonën pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Lëvizjet e pazakonta nuk lidhen me ndonjë incident apo rrezik real, por me një stërvitje të planifikuar për përballimin e aksidenteve ajrore.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sot, më 4 nëntor 2026, do të zhvillohet ushtrimi kombëtar i kërkim-shpëtimit “SAR-2026”, i cili do të zgjasë nga ora 10:30 deri në orën 12:00. Aktiviteti organizohet nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat që kanë përgjegjësi për ndërhyrjen në rastet e emergjencave në aviacionin civil.

Në këtë operacion simulues do të përfshihen Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, shërbimet zjarrfikëse dhe të shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.

Skenari i parashikuar për stërvitjen përfshin një aksident të simuluar, ku një avion del nga pista dhe përplaset në një zonë jashtë perimetrit rrethues të aeroportit. Mbi bazën e këtij skenari do të vihen në provë procedurat e ndërhyrjes, shpejtësia e reagimit të strukturave dhe bashkërendimi i punës mes institucioneve të ndryshme.

Një tjetër element i rëndësishëm i ushtrimit është testimi i kapaciteteve për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, në kushtet e një aksidenti ajror.

Për shkak të zhvillimit të aktivitetit, banorët dhe qytetarët që do të ndodhen në afërsi të aeroportit mund të shohin ambulanca, automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera të emergjencës duke lëvizur në zonë.

Për të shmangur keqkuptimet apo shqetësimin e qytetarëve, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për një aktivitet të planifikuar dhe se nuk ka asnjë aksident apo situatë emergjente në aeroportin e Rinasit.

Përmes “SAR-2026”, synohet të vlerësohet gatishmëria e strukturave përgjegjëse, të përmirësohet koordinimi ndërmjet institucioneve dhe të forcohen kapacitetet kombëtare për ndërhyrjen në rastet e aksidenteve në aviacionin civil.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve të mos alarmohen nga prania e shtuar e mjeteve të emergjencës, duke falënderuar njëkohësisht për mirëkuptimin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.