Komisioni zgjedhor izraelit njoftoi sot, të mërkurën, se nuk kishte gjetur prova për mashtrim që mund të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, rezultatet e të cilave po kontestohen nga kampi i kryeministrit në largim Benjamin Netanyahu.
Pas shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga partitë e ndryshme dhe kryerjes së hetimeve të hollësishme, autoritetet zgjedhore nuk gjetën “asnjë parregullsi ose provë që sugjeron se integriteti i zgjedhjeve ishte kompromentuar ose se rezultatet ishin manipuluar”, tha komisioni në një deklaratë.
Ky sqarim vjen disa orë para shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, në të cilat asnjëri nga dy blloqet kryesore politike nuk arriti të sigurojë shumicën absolute prej 61 vendesh të nevojshme në Knesset për të formuar një qeveri.
Kujtojmë se javën e kaluar Netanyahu theksoi se “tre zyrtarë të lartë” të partisë Ra’am (red. akronimi hebraik për “Lista e Përbashkët Arabe”) u arrestuan në Izraelin jugor me zarfe të mbushura me para në dorë.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dean Livne, e quajti incidentin “të pazakontë” në atë kohë, duke deklaruar se “policia arrestoi njerëz që po përpiqeshin të korruptonin votuesit edhe para se të arrinin në qendrat e votimit”.
The post Izrael, Komisioni Zgjedhor hedh poshtë pretendimet e Netanyahut për mashtrim zgjedhor appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











