Stërvitja “SAR-2026” pranë aeroportit të Rinasit, simulohet aksident ajror dhe operacion kërkim-shpëtimi

Stërvitja e planifikuar e kërkim-shpëtimit “SAR-2026” do të zhvillohet sot, nga ora 10:30 deri në 12:00, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se stërvitja organizohet nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (QKKSH), në bashkëpunim me institucionet dhe strukturat përgjegjëse për reagimin ndaj emergjencave në rastet e aksidenteve ajrore.
Në të do të marrin pjesë Forcat e Armatosura, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), Policia e Shtetit, ALBCONTROL, Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (AKISA), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar.
Stërvitja do të zhvillohet mbi bazën e një skenari të simuluar, që parashikon daljen e një avioni nga pista dhe përplasjen e tij jashtë rrethimit të aeroportit.
Qëllimi është testimi i procedurave të reagimit, koordinimit ndërinstitucional dhe angazhimit të njësive të kërkim-shpëtimit për evakuimin dhe shpëtimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë zhvillimit të stërvitjes qytetarët mund të vërejnë lëvizje të shtuar të automjeteve të emergjencës në zonën pranë aeroportit, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për një aktivitet të planifikuar dhe se nuk ka asnjë emergjencë reale.
Stërvitja synon rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave pjesëmarrëse dhe forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të emergjencës në aviacionin civil.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



