Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke e cilësuar rezultatin si një mesazh të qartë të qytetarëve për nevojën e ndryshimit politik në vend.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Obama u shpreh se votuesit amerikanë kanë kërkuar një politikë që bashkon njerëzit dhe jo një politikë që thellon ndarjet mes tyre.

“Sonte, populli amerikan dërgoi një mesazh të qartë – ata duan një politikë që i bashkon njerëzit në vend që t’i ndajë, dhe udhëheqës që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen”, shkroi ish-presidenti.

Gjatë fushatës zgjedhore, Obama ishte angazhuar në mbështetje të disa kandidatëve demokratë në shtete të rëndësishme elektorale, përfshirë Michiganin dhe Xhorxhian.

Ai theksoi gjithashtu se pas rezultatit zgjedhor, demokratët duhet të përqendrohen te puna konkrete dhe te zbatimi i ndryshimeve që kanë mundësi të realizojnë.

“Puna jonë tani është të përveshim mëngët, të bëjmë ndryshime kudo që kemi fuqinë për ta bërë këtë, të parandalojmë dëme të mëtejshme dhe të hedhim themelet për të ardhmen”, përfundoi Obama.

Reagimi i ish-presidentit vjen pas fitores së demokratëve, të cilët kanë siguruar shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, duke ndryshuar raportet politike të forcave në Uashington për dy vitet e fundit të mandatit të Donald Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb