Milani do të vishet sërish me “Adidas” nga 2028-a, akord prej 500 milionë eurosh për 10 vjet

Brandi gjerman mbi fanellat kuqezi u kujton tifozëve sezonet e suksesshme me Ancelotti-n në stol, si dhe fillimet e viteve ’90.
Milani do të jetë sërish një skuadër e veshur me “Adidas”, si në vitet e arta me trajnerin Ancelotti dhe fillimet e viteve ’90. Marrëveshja hyn në fuqi nga vera e 2028-ës dhe bëhet fjalë për një kontratë mjaft të mirë financiare: 50 milionë në sezon për 10 kampionate. Milani do të firmosë kështu një akord prej 500 milionë eurosh, duke mbyllur epokën “Puma”, që nisi në 2018-ën.
Rritja është e konsiderueshme dhe do të ndihmojë progresin e Milanit të RedBird. Dhjetë vjet më parë klubi firmosi me “Puma”-n një akord prej 14 milionë eurosh në sezon. Rinovoi në 2022-shin për të shkuar në rreth 30 milionë për kampionat.
Tani kalimi në 50 milionë euro sezonale ndryshon ndjeshëm vlerën e fanellës kuqezi dhe mbush arkën e klubit. Kjo është marrëveshja e dytë e rëndësishme e firmosur ditët e fundit pas akordit me Generali dhe Interin për stadiumin e ri.
Marrëveshja Milan-Adidas mund të shihet nga disa këndvështrime. Në betejën e firmave të mëdha të veshjeve sportive, shihet qartë avancimi i “Adidas” në tregun italian, pasi brandi gjerman vesh edhe Juventusin. “Puma” po kalon një moment të vështirë. Juventusi një vit më parë firmosi akordin 10-vjeçar me “Adidas” për vlerën 408 milionë euro. Interi ndërkohë në 2023-shin firmosi me “Nike” një kontratë 8-vjeçare për 30 milionë euro në sezon.
Milani dhe “Adidas” rikthehen tek e kaluara në mënyrë romantike. Firma e njohur gjermane ka qenë sponsor teknik i Milanit në vitet ‘70, me titullin e yllit të skuadrës së Riveras, në fillim të viteve ’90, me Sacchi e Capello në stol.
Dhe mbi të gjitha nga 1998-a deri në 2018-ën, kur i solli shumë fat klubit kuqezi. “Adidas” kuqezi fitoi titullin me trajnerin Zaccheroni e më pas dy Champions, në 2003-shin dhe 2007-ën me Carlo Ancelotti. Një nga raportet më të ngushta të futbollit italian, për disa nga fanellat ikonike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



