E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Goditje e rëndë për presidentin, amerikanët i kthejnë shpinën Trump-it
Bota

Goditje e rëndë për presidentin, amerikanët i kthejnë shpinën Trump-it

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë një përmbysje të fortë të balancave politike, me demokratët që, sipas projeksioneve të raportuara nga mediat amerikane, kanë siguruar shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Rezultati përbën një disfatë të rëndësishme për presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane, të cilët rrezikojnë të humbasin kontrollin mbi agjendën politike në Uashington gjatë dy viteve të fundit të mandatit presidencial.

Opozita demokrate ka arritur të thyejë edhe bastione që tradicionalisht konsideroheshin të sigurta për republikanët. Sipas rezultateve të raportuara, kandidatët demokratë kanë shënuar fitore në shtete si Teksasi, Ohajo, Karolina e Jugut, Karolina e Veriut, Kansas dhe Iowa, duke përmbysur parashikimet dhe duke ndryshuar ndjeshëm përbërjen e Kongresit amerikan.

Ky rezultat shihet si një sinjal i fortë pakënaqësie ndaj administratës Trump, në një periudhë kur presidenti është përballur me kritika të shumta për politikat ekonomike, rritjen e kostos së jetesës, inflacionin, tarifat tregtare dhe qëndrimin e tij në raport me konfliktin me Iranin.

Sondazhet e zhvilluara përpara votimit kanë treguar një klimë të pafavorshme për Shtëpinë e Bardhë. Më shumë se gjashtë në dhjetë votues janë shprehur kundër mënyrës se si Trump po ushtron detyrën e presidentit, ndërsa rreth dy të tretat kanë vlerësuar se politikat e tij kanë ndikuar negativisht në ekonominë amerikane.

Dyert e Kongresit hapen për demokratët, Trump përballet me presionin e opozitës

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit i jep demokratëve një avantazh të konsiderueshëm në përballjen me presidentin. Me shumicën e re, ata do të kenë mundësi të nisin hetime parlamentare për vendimet e administratës, të thërrasin zyrtarë të lartë për të dhënë llogari dhe të pengojnë iniciativa të rëndësishme të axhendës së Trump.

Një prej pasojave më të rëndësishme lidhet me Senatin, ku demokratët do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e konfirmimit të emërimeve të presidentit, përfshirë edhe ato në sistemin gjyqësor federal.

Nga ana e tij, Donald Trump është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me demokratët, por nuk ka fshehur pakënaqësinë për rezultatin elektoral. Presidenti ka tentuar ta relativizojë humbjen e republikanëve, duke argumentuar se emri i tij nuk figuronte në fletët e votimit.

Megjithatë, fitorja e demokratëve shënon një ndryshim të rëndësishëm të ekuilibrave në politikën amerikane. Për pjesën e mbetur të mandatit, Trump do të duhet të përballet me një Kongres të kontrolluar nga kundërshtarët politikë, të cilët tashmë kanë në dispozicion më shumë instrumente për të vënë nën presion administratën e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.