Demokratët pritet të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, sipas projeksioneve të CNN-it pas zgjedhjeve të mesmandatit të mbajtura më 3 nëntor.

Në Senat, demokratët kanë siguruar 53 ulëse, kundrejt 39 të republikanëve, duke arritur shumicën e nevojshme për të marrë kontrollin e kësaj dhome të Kongresit.


Demokratët kanë fituar gjashtë ulëse nga republikanët, ndërsa 34 ulëse të tyre dhe 31 të republikanëve nuk ishin në garë në këto zgjedhje.

Edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët janë në rrugë për të marrë shumicën. Deri në momentin e publikimit të grafikës, ata kishin siguruar 197 ulëse, ndërsa republikanët 114.

Demokratët kanë fituar 10 ulëse nga republikanët, ndërsa për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten të paktën 218 nga gjithsej 435 ulëset.

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit nga demokratët do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në balancën politike në SHBA dhe do t'ia vështirësonte presidentit amerikan, Donald Trump miratimin e agjendës së tij politike.

Me shumicën në Kongres, demokratët do të kenë më shumë mundësi të ndikojnë në procesin legjislativ dhe të ushtrojnë mbikëqyrje mbi administratën amerikane. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com