I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, Genc Pollo ka komentuar zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritshmëritë për rezultatin dhe ndikimin që mund të ketë një fitore e mundshme e demokratëve në Kongres.
Pollo theksoi se historikisht, në rreth 90% të rasteve, zgjedhjet e mesmandatit janë fituar nga partia kundërshtare e presidentit në detyrë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për republikanët apo demokratët. Megjithatë, ai nënvizoi se sondazhet e opinionit publik në SHBA dhe në disa vende të Evropës kanë rezultuar shpesh të pasakta
Sipas tij, një pjesë e votuesve mund të ngurrojnë të shprehin publikisht mbështetjen për politikanë të caktuar, për shkak të klimës mediatike dhe perceptimit negativ ndaj tyre. Si shembuj, ai përmendi Donald Trumpin përpara zgjedhjes së tij në SHBA dhe Benjamin Netanyahun në Izrael.
“Prandaj ne nuk e dimë si do të dalë rezultati i zgjedhjeve. Mund fare mirë të ketë mazhorancë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, ndoshta edhe në Senat. Por sondazhet duhen marrë, siç thonë amerikanët, me pak kripë e me piper”, u shpreh Pollo.
Duke u ndalur te skenari i një fitoreje të demokratëve në njërën ose të dyja dhomat e Kongresit, Pollo argumentoi se kjo nuk do ta kthente presidentin amerikan në një “rosë çalamane” (lame duck), pasi ai do të vijonte të kishte hapësirë veprimi në politikën e jashtme.
Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për Evropën dhe Shqipërinë, ndërsa shtoi se një kontroll demokrat i Kongresit mund t’i vështirësonte Trumpit miratimin e disa ligjeve.
Në këtë kontekst, Pollo përmendi edhe ligjin SAVE Act, duke u ndalur te kërkesa për identifikimin e votuesve me dokument fotografik. Për të ilustruar rëndësinë e dokumenteve të identifikimit në proceset zgjedhore, ai solli në vëmendje debatin e vitit 2007 në Shqipëri për përdorimin e certifikatave personale në zgjedhje, si dhe kundërshtimet e asaj kohe lidhur me sigurinë e tyre/oranews













