Vendosni fjalën kyçe....

Prokurorët në Gjermani bastisin zyrat e Deutsche Finance


Prokurorët e Mynihut kanë kryer kontrolle në zyrat e kompanisë së administrimit të aseteve Deutsche Finance, konfirmoi një zëdhënëse e prokurorisë.

Zëdhënësja nuk pranoi të tregonte se çfarë po kërkojnë hetuesit apo në çfarë fokusohet hetimi, por tha se më shumë detaje do të bëhen publike “brenda pak ditësh”. Deutsche Finance, e cila administron më shumë se 12 miliardë dollarë për klientët e saj, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Kontrollet vijnë disa muaj pasi grupi gjerman i fondeve të pensioneve Bayerische Versorgungskammer (BVK) bëri të ditura humbjet e mundshme, pas bashkëpunimit me Deutsche Finance në investime në pasuri të paluajtshme në SHBA, përfshirë ndërtesën Transamerica Pyramid në San Francisko. Investimet kishin një vlerë totale prej 1.6 miliardë eurosh (1.8 miliardë dollarësh).

Fondi, përmes të cilit u kryen këto investime, përballet tani me humbje të mundshme deri në 853 milionë euro, ka deklaruar BVK. Grupi nuk pranoi të komentonte lajmin e së martës, kur u kontaktua nga mediat, shkruan Bloomberg.

Rregullatori gjerman i tregut financiar, BaFin, dërgoi në qershor një përfaqësues të posaçëm pranë Deutsche Finance Investment, një njësi e grupit, për të ndihmuar në monitorimin e respektimit të urdhrit të tij për dorëzimin e informacionit dhe dokumenteve. Një zëdhënës i BaFin deklaroi të martën se rregullatori nuk është i përfshirë në kontrollet e kryera nga prokurorët e Mynihut.

Raportet financiare për fondet e Deutsche Finance të orientuara drejt investitorëve individualë kanë vonuar prej kohësh. Ndërkohë, kompania Scope Fund Analysis GmbH pezulloi vlerësimin e saj për fondet, pasi firma nuk arriti të paraqiste informacionin e kërkuar. Në fillim të këtij viti, Scope e tërhoqi përfundimisht vlerësimin.