Një nga krimet më tronditëse dhe më të mistershme të Francës, i mbetur i pazbardhur për gati katër dekada, ka mbërritur më në fund në gjykatë. Në Blois ka nisur gjyqi ndaj prindërve të Inass Touloub, vajzës vetëm 4 vjeçe, trupi i së cilës u gjet i gjymtuar në një hendek pranë autostradës A10 në vitin 1987. Pas 39 vitesh hetime dhe kërkimesh, dyshimet janë përqendruar te njerëzit që duhej ta mbronin: prindërit e saj.
Në bankën e të akuzuarve janë ulur nëna, Halima El Bakhti, 72 vjeçe, e akuzuar për torturë dhe akte barbare që çuan në vdekjen e së bijës, si dhe babai, Ahmed Touloub, 74 vjeç, i akuzuar për bashkëpunim. Të dy rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm.
Në mbërritje në gjykatë, prindërit u shfaqën veçmas. Nëna kishte mbuluar fytyrën me një shall, ndërsa babai u ngjit në shkallët e ndërtesës duke u mbështetur në një bastun. Jashtë gjykatës, aktivistë të kolektivit Mouv’Enfants vendosën banderola me mbishkrimin “Drejtësi për Inass” dhe fotografi të vogëlushes.
Një trup i braktisur pranë autostradës dhe një kërkim që përfshiu 30 shtete
Gjithçka nisi më 11 gusht 1987, kur punëtorët e autostradës A10 zbuluan trupin e pajetë të vajzës në një hendek pranë Suèvres, mes Orléans dhe Tours. Vogëlushja kishte shenja të shumta dhune, përfshirë djegie dhe kafshime. Pamja e rëndë e trupit bëri që mediat franceze ta pagëzonin me emrin “martirja e vogël e A10”.
Askush nuk kishte raportuar zhdukjen e saj dhe autoritetet nuk arrinin të përcaktonin identitetin e viktimës. Xhandarmëria nisi një fushatë të gjerë kërkimi, duke shpërndarë të dhëna dhe përshkrime në më shumë se 30 shtete. Fotografia e vajzës u vendos në 65 mijë shkolla dhe 30 mijë bashki.
Megjithatë, as kjo përpjekje e jashtëzakonshme nuk solli rezultat. Dosja u mbyll dy herë, në vitet 1991 dhe 1997, ndërsa identiteti i vogëlushes mbeti mister për dekada.
ADN-ja çoi hetuesit te familja
Kthesa vendimtare erdhi në vitin 2018, gjatë hetimit të një çështjeje tjetër përdhunimi. Analizat e ADN-së së vëllait të viktimës treguan përputhshmëri gjenetike me gjurmët e gjetura në rrobat e vajzës dhe në batanijen me të cilën ishte mbështjellë trupi i saj.
Ky zbulim bëri të mundur identifikimin e saj si Inass Touloub dhe çoi në arrestimin e prindërve në qershor të po atij viti. Gjatë marrjes në pyetje, të dy mohuan përgjegjësinë për dhunën që i mori jetën vajzës, duke akuzuar njëri-tjetrin.
Procesi gjyqësor u vonua për shkak të procedurave dhe rekursit ligjor, derisa në shtator 2024 Gjykata e Kasacionit hapi përfundimisht rrugën për zhvillimin e gjyqit.
Për komunitetin e Suèvres, ku vogëlushja prehet dhe banorët vazhdojnë të vendosin lule mbi varrin e saj, nisja e procesit është pritur si një moment i shumëpritur. Raphael Pilleboue, ish-kryetar i bashkisë, u shpreh:
“Më në fund! Kjo është dita e madhe e një gjyqi që e kemi pritur kaq gjatë. Ka ardhur koha për të sjellë drejtësi për këtë vajzë të vogël që ka vuajtur kaq shumë.”
Gjyqi në Blois pritet të vijojë deri më 18 nëntor, me synimin për të zbardhur përfundimisht rrethanat e një krimi që për 39 vjet mbeti pa përgjigje.


