Protestat studentore në Tiranë kanë vijuar edhe të martën, por me numër më të vogël pjesëmarrësish dhe pa tensione në rrugët e kryeqytetit.

Studentët e nisën marshimin që në orët e para të ditës, duke u fokusuar kryesisht te auditorët e disa universiteteve të Tiranës, ku hynë për të bërë thirrje për bojkotimin e mësimit.


Kërkesa e protestuesve mbetet e njëjtë: dorëheqja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë marshimit, studentët kaluan edhe pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa një nga ndalesat e tyre ishte selia e Partisë Demokratike. Aty nuk munguan thirrjet kundër opozitës.

Protestuesit e përfunduan tubimin para Kryeministrisë, ku numri i pjesëtarëve të Policisë së Shtetit të pranishëm në bulevard ishte i vogël.