Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar vijimin e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se mobilizimi i krijuar nga qytetarët dhe veçanërisht nga të rinjtë nuk duhet të shuhet.
Gjatë një takimi me grupet e punës së qarkut Tiranë, të zhvilluar në selinë blu, Berisha diskutoi mbi vijimin e aksionit opozitar, organizimin e protestave dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm. Ne nuk heqim dorë nga protesta, pasi protesta është pjesë e jona”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai kërkoi që energjia e krijuar nga angazhimi qytetar të shndërrohet në një mobilizim të qëndrueshëm politik, ndërsa protestat do të vijojnë të jenë pjesë e strategjisë së opozitës në përballjen me qeverinë.
Paralelisht, Berisha u kërkoi strukturave të partisë të nisin organizimin në terren për zgjedhjet lokale, duke theksuar se përgatitjet elektorale duhet të zhvillohen krahas aksionit opozitar.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkimi i forcave politike dhe shoqërore kundër qeverisë, përmes krijimit të një fronti të përbashkët.
“Shpresojmë të ngremë një front të përbashkët në interes të vendit”, u shpreh Berisha.
Takimi me strukturat e Tiranës zhvillohet në një kohë kur opozita vijon aksionin e saj politik, ndërsa protestat e qytetarëve dhe studentëve kundër qeverisë kanë hyrë në një fazë të re mobilizimi.













