AKTUALITET

Nga lejet e ndërtimit, te rrugët, parkimet dhe taksat, KLSH fundos Sotiraq Filon e Korçës

20:27 - 03.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkelje me lejet e ndërtimit, taksa të pallogaritura për ndërtuesit, punime të certifikuara por të pakryera dhe miliona lekë të parikuperuara. Auditimi nxjerr në pah parregullsi në administrimin e fondeve dhe pronave publike të Bashkisë Korçë, ndërsa qindra milionë lekë detyrime mbeten të paarkëtuara dhe një pjesë e rekomandimeve të mëparshme vijojnë të pazbatuara.Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në Bashkinë Korçë, që lidhen me administrimin e të ardhurave publike, taksat e ndërtimit, zbatimin e kontratave, menaxhimin e pronave dhe funksionimin e strukturave të kontrollit.

Në raportin përfundimtar të auditimit financiar për vitin 2025, KLSH ka evidentuar 23 gjetje dhe ka dhënë 26 rekomandime. Shtatë prej gjetjeve dhe tetë prej rekomandimeve lidhen me mungesën e të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër me masa organizative dhe korrigjimin e parregullsive të konstatuara.

Një prej çështjeve më të rëndësishme që del nga dokumenti është moszbatimi i plotë i rekomandimeve të auditimeve të mëparshme, për të cilat bashkia kishte pranuar marrjen e masave.Sipas KLSH-së, nga pesë rekomandime për mungesë të ardhurash, me vlerë të përgjithshme 712,653,000 lekë, vetëm një rekomandim me vlerë 22,341,000 lekë rezultonte i zbatuar. Katër rekomandimet e tjera, me vlerë 690,312,000 lekë, vijonin të ishin në proces zbatimi.Edhe për masat organizative, nga 37 rekomandime të auditimit të mëparshëm, vetëm 16 ishin zbatuar, tetë ishin në proces dhe 13 nuk ishin zbatuar.

Ndërkohë, për 15 masa të rekomanduara për shpërblim dëmi, me vlerë 5,198,000 lekë, rezultonin të zbatuara 13 masa me vlerë 4,683,000 lekë, ndërsa dy masa me vlerë 515,000 lekë mbeteshin në proces.

Një tjetër gjetje lidhet me përllogaritjen e gabuar të taksës së ndikimit në infrastrukturë për gjashtë leje ndërtimi.

KLSH ka konstatuar diferenca në shumën 13,847,443 lekë. Nga kjo vlerë, 11,914,178 lekë u përkasin pesë lejeve të ndërtimit me pronarë dhe zhvillues të identifikuar në raport me inicialet L.L. dhe O.L., ndërsa 1,933,265 lekë lidhen me një leje tjetër, me zhvillues dhe pronar trualli B.K.

Audituesit kanë kërkuar arkëtimin e diferencave nga strukturat përgjegjëse të Bashkisë Korçë.

Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimit rezulton se bashkia kishte kryer kontabilizimin e shumës prej 13,847,443 lekësh. Për detyrimet e lidhura me O.L., në dokumentacionin e administruar nga KLSH rezultojnë pagesa sipas faturave përkatëse.

Ndërsa për shumën prej 1,933,265 lekësh, bashkia kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur përmbushjen e detyrimit dhe kishte paralajmëruar ndjekjen e rrugës gjyqësore në rast mospagese. Rekomandimi rezultonte ende në proces zbatimi.

Në raport përfshihet edhe një rast që lidhet me një kompleks turistik, në Voskopojë, me objekt ndërtimi tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.

Për këtë objekt, të miratuar me vendimin nr. 8590/22, datë 9 dhjetor 2022, me zhvillues shoqërinë e identifikuar me inicialin “S.” sh.p.k., KLSH ka kërkuar monitorimin e destinacionit të përdorimit.

Nëse konstatohet ndryshim i destinacionit të objekteve të zhvilluara sipas lejes së ndërtimit, bashkia duhet të përllogarisë dhe të arkëtojë diferencën e taksës së ndikimit në infrastrukturë prej 1,525,253 lekësh.

Në auditimet e mëparshme është evidentuar gjithashtu një rast ku objekti i miratuar me leje ndërtimi nuk respektonte përcaktimet e ligjit për strehimin social, lidhur me kontributin që duhet të japin subjektet private që aplikojnë për leje zhvillimi dhe ndërtimi.

Shkelje janë konstatuar edhe në kontratat e investimeve publike, ku audituesit kanë identifikuar punime të certifikuara, por të pakryera.

Në një kontratë për investimet në infrastrukturën rrugore, të lidhur më 10 maj 2023, me vlerë 41,059,400 lekë me TVSH, KLSH ka evidentuar diferenca në volumet e punimeve.

Konstatimet lidhen me shtresat e asfaltit, shtresat e binderit, spërkatjen me emulsion bituminoz, mbulimin e kanaleve dhe shtresat e rërës.

Për këto punime është llogaritur dëm ekonomik prej 1,718,360 lekësh pa TVSH.

Në projektin “Qendra e Kreativitetit, faza II”, me vlerë kontrate rreth 14.85 milionë lekë me TVSH, audituesit kanë evidentuar punime të certifikuara që nuk rezultonin të realizuara.

Mes tyre përmenden tenda e motorizuar me ndriçim dhe vetrata e aluminit me xham triplex. Dëmi ekonomik i konstatuar për këtë kontratë është 670,394 lekë pa TVSH.

Në kontrata të tjera janë evidentuar gjithashtu volume punimesh të pakryera, për të cilat KLSH ka kërkuar rikuperimin e shumave nga kontraktorët ose zbritjen e tyre nga garancitë e punimeve.

Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me kontratat e qirasë së tokave bujqësore dhe administrimin e pasurive të bashkisë.

Sipas auditimit, për 11 kontrata të qirasë së tokës bujqësore rezultojnë detyrime të papaguara prej 39,284,877 lekësh.

Për tri kontrata, me detyrime prej 2,039,679 lekësh, bashkia kishte nisur procedura gjyqësore për arkëtimin e shumave dhe zgjidhjen e kontratave.

Për pjesën tjetër të detyrimeve, KLSH ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe ligjore për arkëtimin e 37,245,198 lekëve.

Probleme janë konstatuar edhe në administrimin e tarifave të parkimit dhe lejeve të transportit.

Sipas raportit, për parkimet e rezervuara janë evidentuar raste kur kontratat janë lidhur me orare që nuk përputheshin me përcaktimet e vendimeve të Këshillit Bashkiak.

Për gjashtë subjekte hoteliere, audituesit kanë konstatuar se vendparkimet e rezervuara janë administruar me orare të kufizuara, megjithëse aktiviteti hotelier ushtrohet gjatë gjithë ditës.

KLSH ka evidentuar një diferencë prej 1,295,300 lekësh ndërmjet shumës që do të rezultonte nga rezervimi 24-orësh dhe shumës së arkëtuar sipas kontratave.

Në total, për administrimin e vendparkimeve të rezervuara janë evidentuar diferenca prej 1,326,070 lekësh.

Audituesit kanë konstatuar gjithashtu mungesë dokumentacioni për kontrollin e plotë të parkimeve me pagesë. Në raport përmenden mungesa të akt-rakordimeve, evidencave për administrimin e blloqeve të biletave dhe dokumenteve të kontrolleve periodike.

Për lejet e transportit, KLSH ka konstatuar se evidentimi i subjekteve dhe përcaktimi i të ardhurave është mbështetur kryesisht në kërkesat e paraqitura prej tyre, pa kontrolle të dokumentuara dhe pa shkëmbim sistematik informacioni me institucionet përkatëse.

Në administrimin e taksave vendore, raporti evidenton edhe një problem me shqyrtimin e ankimeve të tatimpaguesve.

Sipas KLSH-së, Bashkia Korçë nuk kishte ngritur dhe funksionalizuar strukturën e apelimit tatimor.

Audituesit kanë kërkuar që, deri në ngritjen e kësaj strukture, ankimet administrative të shqyrtohen nga autoriteti kompetent dhe jo nga e njëjta drejtori që ka nxjerrë aktin administrativ ndaj të cilit paraqitet ankimi.

Probleme janë evidentuar edhe në administrimin e gjobave të vendosura nga Policia Bashkiake.

Gjatë krahasimit të të dhënave të Policisë Bashkiake, Sektorit të Financës dhe Degës së Thesarit, audituesit kanë konstatuar mospërputhje në vlerat e raportuara.

Sipas Policisë Bashkiake, gjobat e likuiduara gjatë vitit 2025 arrinin në 1,032,620 lekë, ndërsa Sektori i Financës raportonte 973,000 lekë.

Ndërkohë, sipas rakordimit me Thesarin, derdhjet për gjobat rezultonin 604,400 lekë.

KLSH ka kërkuar verifikimin dhe dokumentimin e diferencave, si dhe përcaktimin e shkaqeve të krijimit të tyre.

Në administrimin e pasurive publike, audituesit kanë konstatuar se Bashkia Korçë administron 2,222 prona, nga të cilat 1,965 në pronësi dhe 257 në përdorim.

Nga pronat në pronësi, 279 janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 47 të tjera janë në proces certifikimi.

Megjithatë, 279 pronat e certifikuara në emër të bashkisë nuk ishin regjistruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale, pasi nuk u ishte përcaktuar vlera financiare.

KLSH ka evidentuar edhe pasaktësi në klasifikimin e aktiveve.

Në llogarinë e pyjeve, kullotave dhe plantacioneve ishin regjistruar 84 objekte me vlerë 20,310,296 lekë, të cilat sipas audituesve duhej të klasifikoheshin në kategorinë e rrugëve, rrjeteve dhe veprave ujore.

Një tjetër gjetje lidhet me dhjetë objekte të ujësjellës-kanalizimeve, me vlerë 38,896,711 lekë, të cilat vijonin të figuronin në kontabilitetin e bashkisë, megjithëse sipas dokumentacionit duhej të ishin transferuar te shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë.

Për këtë rast, KLSH ka konstatuar mbivlerësim të aktiveve në kontabilitet me afro 39 milionë lekë.

Auditimi ka evidentuar edhe probleme në menaxhimin e detyrimeve nga vendimet gjyqësore.

Gjatë vitit 2025, Bashkia Korçë ka regjistruar shtatë vendime gjyqësore me vlerë 38,473,043 lekë.

Gjashtë prej tyre lidhen me dëmshpërblime për pensionet e invaliditetit, me vlerë 38,022,134 lekë, ndërsa tarifat përmbarimore për këto detyrime arrijnë në 5,020,473 lekë.

Një vendim tjetër gjyqësor lidhet me largimin e një punonjësi nga puna, për të cilin është krijuar detyrim prej 450,909 lekësh.

Për këtë rast, KLSH ka konstatuar se nuk rezultonte një analizë e dokumentuar mbi shkaqet e humbjes së procesit gjyqësor dhe përgjegjësitë e mundshme administrative.

Një tjetër konstatim lidhet me detyrimin prej 10,571,376 lekësh për TVSH-në e projektit “Shfrytëzimi inteligjent i energjisë”.

Sipas audituesve, kjo shumë ishte regjistruar si detyrim i prapambetur i Bashkisë Korçë, megjithëse dokumentacioni kontraktor përcaktonte përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për pagesën e TVSH-së.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në funksionimin e auditimit të brendshëm të bashkisë.

KLSH ka konstatuar se nuk ishte ngritur Komiteti i Auditimit, ndërsa planifikimi i kontrolleve të brendshme nuk ishte mbështetur plotësisht në analizën e riskut.

Në planifikimin e auditimeve nuk ishin përfshirë në mënyrë të përshtatshme disa procese me risk të lartë, përfshirë prokurimet publike dhe funksionin juridik.

Nga vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimit të brendshëm rezulton një nivel zbatimi prej rreth 63%, ndërsa 17 rekomandime ishin në proces dhe dhjetë të tjera të pazbatuara.

Krahas këtyre shkeljeve, raporti evidenton edhe probleme në realizimin e buxhetit dhe investimeve.

Gjatë vitit 2025, Bashkia Korçë ka realizuar vetëm 49% të investimeve të planifikuara. Nga 418,005,000 lekë të parashikuara për investime, janë realizuar 203,290,000 lekë, duke lënë të parealizuara 214,715,000 lekë.

Ndërkohë, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore kanë rezultuar 347,088,000 lekë më pak se plani.

Në fund të vitit 2025, detyrimet tatimore të papaguara ndaj bashkisë arritën në 668,442,106 lekë, nga 632,853,801 lekë që ishin në fund të vitit të mëparshëm.

Për mbledhjen e këtyre detyrimeve, KLSH ka kërkuar zbatimin e plotë të masave administrative dhe shtrënguese, përfshirë bllokimin e llogarive bankare, vendosjen e barrëve siguruese dhe ndjekjen e procedurave të ekzekutimit.

Në përfundim të auditimit financiar për vitin 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të konsoliduara të Bashkisë Korçë.

Raporti përmban 23 gjetje dhe 26 rekomandime, ndërsa verifikimi i rekomandimeve të auditimeve të mëparshme tregon se një pjesë e masave për arkëtimin e të ardhurave, rikuperimin e dëmeve dhe korrigjimin e parregullsive vijonin të mos ishin zbatuar plotësisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.