
Disa dhjetëra studentë dëgjojnë me vëmendje një të ri me syze, i veshur me një pulovër të zezë me motive të bardha nordike, teksa ai lexon me shpejtësi pikat e rendit të ditës, të projektuara në mur. Askush nuk e ndërpret. Pas çdo pike, ata votojnë duke ngritur duart.
Pas tij, një tabelë e madhe e gjelbër është mbushur me pankarta të bëra vetë: “Jini të aftë, jo të bindur”, “Ka ardhur koha që ata që janë në pushtet të japin një provim” dhe, më e madhja: “Ne jemi forca që sjell ndryshimin”.
Mbledhja e quajtur “plenumi”, e zhvilluar në dhjetor 2024, ishte një nga të parat e organizuara nga studentët e shkencave teknike në Universitetin e Novi Sadit, në veri të Serbisë. Personat e jashtëm, përfshirë gazetarët, nuk lejoheshin të merrnin pjesë në këto takime. Megjithatë, disa prej tyre u filmuan dhe studentët ia vunë pamjet në dispozicion gazetës Financial Times.
Një muaj më parë, Novi Sadi ishte tronditur nga një tragjedi që u kthye në shkëndijën e zymtë të një lëvizjeje që nisi të kërkonte ndryshime politike gjithnjë e më të mëdha. Një strehë betoni në stacionin hekurudhor të qytetit, i cili ishte rinovuar së fundmi, u shemb duke shkaktuar vdekjen e 16 personave dhe duke nxitur një valë zemërimi. Tragjedia u shndërrua në simbol të korrupsionit që kishte pllakosur vendin.
“Në kuptimin simbolik, të gjithë ishim nën atë strehë”, tha Aleksandar Baucal, profesor i psikologjisë në Universitetin e Beogradit, i cili tani ka gjasa të hyjë në parlament si përfaqësues i lëvizjes studentore.
Gjatë dy viteve që pasuan, këto mbledhje u shndërruan nga organizime për protesta kundër qeverisë në struktura kolektive vendimmarrjeje, me një disiplinë të jashtëzakonshme.
E ashtuquajtura “Lista Studentore” — një listë me 250 profesorë, mjekë, shkrimtarë, arkitektë dhe profesionistë të tjerë, shumica pa përvojë të mëparshme politike, e hartuar me kujdes nga plenume — fitoi zgjedhjet e 25 tetorit. Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për një lëvizje që ekziston prej më pak se dy vitesh.
Ajo rrëzoi nga pushteti Aleksandar Vuçiçin, liderin e fortë nacionalist serb, duke e detyruar atë të pranonte humbjen përpara se të numëroheshin të gjitha votat. E gjitha kjo ndodhi pa gjakderdhje, në një vend të Ballkanit që ende mban plagët e luftës dhe tensioneve etnike.
Cedomir Durin, aktivist studentor në vitin e tretë të studimeve për fizikë në Universitetin e Novi Sadit, tha se ishte habitur nga gatishmëria me të cilën Vuçiçi pranoi humbjen, pas 14 vitesh gjatë të cilave kishte forcuar gjithnjë e më shumë kontrollin mbi pushtetin dhe kishte ashpërsuar goditjet ndaj protestuesve. “Mendimi im i parë ishte: uau, kaq ishte?”, tha Đurin.
Por pjesa më e vështirë mund të jetë ende përpara: ligjvënësit e sapozgjedhur duhet të gjejnë një mënyrë për të qeverisur pa tradhtuar parimet e lëvizjes dhe pavarësisht kundërpërgjigjes së mundshme të regjimit të rrëzuar.
“Nuk e kam problem që të rriturit ta marrin tani përsipër këtë punë. Sinqerisht, ndihem e lehtësuar”, tha Jana Vasić, studente në vitin e fundit të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Beogradit. Jeta e saj më në fund mund t’i kthehet normalitetit, njësoj si ajo e mijëra studentëve të tjerë.

Pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, protestat studentore u përhapën në të gjithë vendin. Ato u shoqëruan me bllokimin e universiteteve, pasi Vuçiçi dërgoi policinë e ndërhyrjes së shpejtë për të shtypur demonstratat. Në fund të vitit 2024, shumica e universiteteve në Serbi ishin nën bllokadë. Nuk zhvilloheshin leksione, seminare apo provime, derisa qeveria të pranonte të hetonte shkaqet e shembjes së stacionit hekurudhor.
Disa studentë qëndronin aty për ditë të tëra, duke u kthyer në shtëpi vetëm për të bërë dush dhe më pas riktheheshin shpejt në mbledhjet plenare të lëvizjes.
“Ata janë si ushtria: të përqendruar në mënyrë absolute dhe të vendosur”, tha Ksenija Đorđević, kandidate e Listës Studentore, e cila mund të marrë një mandat parlamentar në javët e ardhshme. Ajo foli për Financial Times në studion e saj të arkitekturës në qendër të Beogradit, pranë pallatit presidencial. Në atë takim mbante buzëkuqin e kuq karakteristik, një kostum njëngjyrësh dhe një varëse Dior.
Ditë pas dite, studentët mblidheshin për plenume që zgjatnin me orë të tëra, ku votonin për gjithçka, nga ushqimi që do të konsumonin deri te programi i tyre politik. Mbledhjet drejtoheshin çdo herë nga një student tjetër. Ata shmangnin që të njëjtët persona të flisnin shumë shpesh me mediat, nga frika se mund të paraqiteshin si udhëheqës të lëvizjes.
Mbetja pa një udhëheqës të vetëm ishte një nga parimet themeluese të lëvizjes, me synimin për të shmangur gabimet e së kaluarës, kur ambiciet personale kishin dalë mbi interesin e përbashkët.
Baucal, studentët e të cilit e kishin lejuar të vëzhgonte disa plenume, tha se kishte parë disa persona që përpiqeshin “të bëheshin më të rëndësishëm se të tjerët”, por ishte “i impresionuar” nga mënyra se si pjesa tjetër “mobilizohej menjëherë për ta parandaluar këtë”.

Ksenija Gjorgjeviq: “Ne jemi këtu për të krijuar, jo për të sunduar”
Në fund të pranverës së vitit 2025, ndërsa përgjegjësia për tragjedinë e Novi Sadit ende nuk ishte përcaktuar, studentët paraqitën një kërkesë të re: zgjedhje parlamentare. Vuçiçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit në shtator 2026 dhe shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare, në një përpjekje të fundit për t’u rikthyer në pushtet si kryeministër.
Studentët nisën hartimin e listës së kandidatëve për parlament, duke u caktuar vende universiteteve të ndryshme në përpjesëtim me numrin e studentëve që kishin. Vetë studentët nuk kandiduan, por propozuan pedagogë dhe profesionistë të tjerë.
“Ne besojmë se vendin duhet ta drejtojnë njerëz që janë ekspertë në fushat e tyre”, tha Đurin. Sipas tij, kjo ndihmoi gjithashtu që të gjithë të luftonin për diçka më të madhe se vetja.
Hartimi i listës kërkoi muaj të tërë votimesh. Çdo student mund të “prezantonte” një kandidat, me kusht që të kishte marrë më parë pëlqimin e tij.
Plenumet ku përzgjidheshin kandidatët ishin veçanërisht sekrete. “I lamë të gjithë telefonat jashtë. Pas prezantimit, u vendosnim kandidatëve pseudonime, të cilat ndryshonin vazhdimisht. Sot mund t’i quanim Teletubbies. Nesër, personazhe të Star Wars, në mënyrë që, nëse ndonjë informacion do të dilte jashtë, mediat shtetërore të mos arrinin të lidhnin emrat me personat”, tha Novak Simin, student doktorature në fushën e burimeve njerëzore nga Novi Sadi.
Lista mbeti sekrete deri pak përpara zgjedhjeve, për t’i mbrojtur kandidatët nga presioni i qeverisë dhe fushatat e mundshme denigruese, megjithëse disa prej tyre u sulmuan sërish në mediat shtetërore. “Ishte e shëmtuar”, tha arkitektja Đorđević.
Megjithatë, kandidatët nisën të takoheshin me njëri-tjetrin dhe me grupet e punës të studentëve në nivel fakulteti.
Nga këto diskutime doli programi zgjedhor i lëvizjes, i përbërë nga 11 pika. Ai shmangte çështjet përçarëse, si Kosova — pavarësia e vetëshpallur e së cilës nuk njihet nga Serbia — Rusia apo integrimi në BE. Në vend të tyre, fokusohej te korrupsioni, nepotizmi, çlirimi i institucioneve shtetërore nga kontrolli politik dhe përmirësimi i shërbimeve publike. Lista ishte qëllimisht joideologjike dhe bashkonte kandidatë të së djathtës dhe të së majtës.

Nga e majta në të djathtë: shkrimtarja Svetlana Porovic Mihajlović, aktivistja Ljubica Stjepanović Muhić, Ksenija Gjorgjević dhe mësuesja Esma Pejović në një tubim pas zgjedhjeve
Kandidatët e hedhin poshtë idenë se larmia e qëndrimeve politike do të krijojë vështirësi në të ardhmen. “Çfarë rëndësie kanë këto ideologji, nëse sistemi nuk funksionon dhe ti nuk mund t’i mbrosh ato?”, tha Baucal, profesori i psikologjisë. Ai e sheh misionin e tyre si ndërtimin e një sistemi funksional, i cili do të mundësojë zgjedhje të reja pas katër vitesh.
“Ne jemi këtu për të krijuar, jo për të sunduar”, tha Đorđević.
Për t’i mbajtur kandidatët në rrugën e duhur, gjashtë muaj më parë studentët u kërkuan atyre të nënshkruanin “kontrata shoqërore”, përmes të cilave angazhoheshin të respektonin vlerat dhe planet e lëvizjes.
Svetlana Porović Mihajlović, një shkrimtare rreth të gjashtëdhjetave, e cila kishte dalë vullnetare për të ndihmuar të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të votonin, tha për studentët: “Është sikur të kenë ardhur nga një dimension tjetër… Janë më të shpejtë. Më të zgjuar. Mendojnë dhjetë kilometra përpara nesh.”
Kur studentët iu drejtuan verën e kaluar Dejan Šoškić, ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Serbisë, i cili dha dorëheqjen në vitin 2012 për shkak të ndërhyrjeve politike, ai u dha “të gjitha arsyet pse nuk duhej të ishte pjesë e kësaj liste”, kryesisht për shkak të sulmeve të vazhdueshme mediatike ndaj tij. Por studentët u rikthyen dhe ai përfundimisht pranoi. Ai renditet i 27-ti në listën me 250 kandidatë.
Meqenëse Lista Studentore siguroi 52 për qind të votave, 140 kandidatët e parë të saj kanë të drejtë të hyjnë në parlament. Nëse dikush tërhiqet, vendin e tij e zë kandidati pasardhës në listë. Ata kanë 30 ditë kohë për të vendosur se cilët prej tyre do të marrin mandatet.
Për formimin e qeverisë dhe propozimin e kryeministrit janë parashikuar edhe 60 ditë të tjera. Studentët dhe kandidatët po zhvillojnë tani disa raunde plenume dhe diskutimesh të tjera për të plotësuar këto poste.
Pas kësaj, Lista Studentore do të kalojë nga vendimmarrja kolektive në procedura më tradicionale. “Pritshmëria është që të funksionojmë si një organ legjislativ, ashtu siç funksionon zakonisht në një vend demokratik”, tha Šoškić.
Studentët planifikojnë t’u kthehen jetëve të tyre, duke ruajtur një rol mbikëqyrës. “Institucionet e suksesshme kanë nevojë për një mekanizëm vetëkorrigjues dhe pikërisht këtë do të përfaqësojë lëvizja studentore: një forcë krijuese dhe korrigjuese”, tha Đorđević.
Simin, studenti i doktoraturës, tha se ndiente “një barrë të madhe që i ishte hequr nga kraharori”, duke shtuar se kishte ende punë për të bërë, përfshirë përgatitjet për zgjedhjet presidenciale më vonë gjatë këtij viti.

Dejan Soskić përfundimisht pranoi t’i bashkohej Listës Studentore. “Pritja është që të funksionojë siç vepron normalisht organi legjislativ në një vend demokratik”
Tranzicioni mund të rezultojë i vështirë. Partia e Vuçiçit dhe aleatët e tij ruajnë rreth 100 vende në parlament, si dhe kontrollin mbi qeverinë kujdestare dhe presidencën. Vuçiçi, 56 vjeç, ka deklaruar se pret të rikthehet në pushtet “brenda dy vitesh, ndoshta edhe më shpejt”, kur serbët do ta “kuptojnë gabimin e tyre”.
Aftësia e qeverisë së re për të ruajtur unitetin dhe për të realizuar reforma domethënëse gjatë gjashtë deri në 12 muajve të parë, përfshirë hetime të pavarura për korrupsionin, mund të jetë vendimtare, tha Jörn Fleck, drejtor i lartë në Qendrën për Evropën të Këshillit Atlantik.
Serbia kujton një tjetër revolucion që nuk arriti të përmbushte pritshmëritë. Në vitin 2000, protestat masive rrëzuan Slobodan Miloševićin, i cili më vonë vdiq gjatë procesit gjyqësor për krime lufte në Hagë. Kjo ngjalli shpresa për demokraci dhe një të ardhme evropiane.
Por reformatorët patën vështirësi në çmontimin e rrjeteve të regjimit të vjetër. Vrasja e një kryeministri të ri e thelloi zhgënjimin, duke i hapur rrugën rikthimit të figurave të periudhës së Miloševićit, përfshirë Vuçiçin, ish-ministrin e tij të Informacionit.
Shumë prej studentëve që protestuan janë fëmijë të atyre që u ngritën kundër Miloševićit. Prindërit i mbështesin plotësisht, me shpresën se kjo gjeneratë do të ketë një rezultat më të mirë.
Studentët dhe kandidatët besojnë se këtë herë gjërat mund të jenë ndryshe, duke iu referuar planeve që kanë hartuar së bashku. Besimi i tyre përforcohet nga përmasat e fitores: më shumë se 620 mijë vota më shumë se partia e Vuçiçit, në një vend me 6.5 milionë banorë.
“Vërtet dyshoj se do të dështojnë”, tha Vasić, studentja e drejtësisë. “Dhe nëse dështojnë… ne mund t’i largojmë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times