Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Pse e kërcënon Edi Rama Erion Veliajn?

VIDEO/ Xhaferri: Bashkimi mund Edi Ramën, opozita duhet të krijojë një koalicion sa më të gjerë

18:44, 03/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka kërkuar krijimin e një koalicioni sa më të gjerë opozitar, duke e konsideruar bashkimin e forcave politike si kusht për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

I ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Xhaferri deklaroi se opozita duhet të përgatitet jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, në varësi të zhvillimeve politike në vend.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet prej pesë-gjashtë muajsh në një situatë të vazhdueshme politike, e cila pritet të prodhojë zhvillime të tjera. Xhaferri theksoi se qytetarët nuk janë më në pritje të fushatave dhe programeve elektorale, por po bëhen gjithnjë e më aktivë në kërkimin e të drejtave të tyre.

Xhaferri u shpreh i bindur se një opozitë e bashkuar mund ta mundë Edi Ramën, pavarësisht kushteve elektorale në të cilat do të zhvillohet gara.

‘Patjetër që po na thotë të krijojmë një koalicion sa më të gjerë, për të dalë në garë, kurdo që ajo të zhvillohet. Sepse nuk është çështje vetëm e zgjedhjeve lokale, por edhe e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të ndodhin si pasojë e zhvillimeve politike në të cilat Shqipëria është futur tashmë prej pesë-gjashtë muajsh dhe që do të vazhdojnë.

Pavarësisht se këto zhvillime vijnë në formën e valëve, pra një valë e madhe mund të qetësohet, por vala tjetër mund të vijë edhe më e madhe, unë jam i bindur se shqiptarët kanë vendosur të mos heshtin më dhe të mos presin datën e zgjedhjeve.

Sot kemi një elektorat që më parë ishte në pritje të programeve elektorale dhe të ekipeve të ndryshme. Tashmë kemi një elektorat më proaktiv, që kërkon të drejtat e veta. Është një gjeneratë e re, e cila po rishkruan historinë e Shqipërisë dhe do të vendosë standarde të reja për demokracinë.

Ashtu siç ka vendosur standarde të reja për protestën, e cila po zhvillohet prej gati 160 ditësh, por që nga një protestë paqësore mund të shndërrohet edhe në një protestë anarkiste, me të drejtë, siç ndodh kudo në Europë, po ashtu kjo gjeneratë do të vendosë standarde të reja edhe për kërkesat që do t'u drejtojë partive tradicionale dhe partive të reja.

Partia Demokratike, duke qenë partia më e madhe, e ka patjetër detyrimin e saj shoqëror për të krijuar kushtet për një koalicion sa më të gjerë. Shifrat flasin dhe pa shifra nuk mund të shkosh drejt fitores. Ky sondazh është një sondazh që jep shpresë dhe ne duhet ta lexojmë jo me syze rozë, as me kënaqësinë se ndoshta jemi në rrugën e duhur, por duke u përqendruar te objektivat dhe te rruga që duhet të ndjekim.

Unë mendoj se Edi Rama e ka bërë të domosdoshëm këtë proces përmes fragmentizimit të opozitës. Kështu ndodh edhe në Serbi, në Hungari dhe kudo tjetër. Pushteti qëndron në këmbë kur përfiton nga fragmentizimi. Pavarësisht nëse Edi Rama do të jetë apo jo në pushtet kur të zhvillohen zgjedhjet, opozita duhet të ketë guximin të maksimizojë bashkimin dhe të minimizojë fragmentizimin.

Unë jam i bindur tashmë, dhe kjo është e faktuar edhe në rajon, se një bashkim opozitar e mund Edi Ramën, në çfarëdo lloj kushtesh elektorale që të zhvillohen zgjedhjet. Për këtë jam 100% i bindur.’, u shpreh deputeti Besart Xhaferri në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco