Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së.
Kurti ka njoftuar se bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve, njofton Dukagjini.
Sipas Kurtit, mbetjet mortore të tyre ishin zhvarrosur në Kalludër dhe Jabukë, ndërsa Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me institucionet përkatëse, tashmë ka njoftuar familjet për identifikimin.
Ai ka bërë të ditur se tre intelektualët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe ishin zhdukur me dhunë.
Kurti u ka shprehur ngushëllime familjeve, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Kurti.
Kurti gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, duke akuzuar Serbinë për mohimin dhe fshehjen e tyre.
“Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit”, ka shkruar Kurti.