Mali i Zi kundërshton anëtarësimin me të drejta të kufizuara në BE, synon anëtarësimin në vitin 2028
Ministrja për Çështjet Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka deklaruar se vendi i saj nuk do të pranojë anëtarësim të dorës së dytë në Bashkimin Evropian, ndërsa synon të bëhet pjesë e bllokut deri në vitin 2028.
Duke folur të martën në Samitin e Zgjerimit të Euronews-it në Bruksel, Gorçeviq u shpreh e bindur se të gjithë kapitujt e negociatave mund të përmbyllen brenda këtij viti, duke hapur rrugën për anëtarësimin e Malit të Zi në BE në vitin 2028.
Mali i Zi konsiderohet një nga vendet që prin në procesin e zgjerimit dhe pritet të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, transmeton Telegrafi.
“Jam e bindur se ky synim, ‘28 me 28’, është ambicioz. Po, por ai po bëhet realitet dhe ne të gjithë jemi dëshmitarë të këtij procesi”, deklaroi ministrja.
E pyetur për një propozim që parashikon një periudhë tranzitore 15-vjeçare për shtetet e reja anëtare, të lidhur me mekanizma mbikëqyrës për sundimin e ligjit, Gorçeviq theksoi se Podgorica kërkon anëtarësim të plotë.
“Ne nuk duam të jemi anëtarë të dorës së dytë brenda Bashkimit Evropian, sepse kjo nuk do të ishte e drejtë dhe nuk do të përbënte anëtarësim të plotë”, tha ajo.
Megjithatë, Gorçeviq shtoi se qeveria malazeze nuk është kundër vendosjes së mekanizmave shtesë të sigurisë, nëse ato synojnë forcimin e Bashkimit Evropian dhe të procesit të zgjerimit.
Ministrja shprehu gjithashtu shpresën se zhvillimet e fundit politike në Serbi do të kenë ndikim pozitiv në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fund të tetorit, Lista Studentore e Serbisë, e përshkruar si reformiste, mposhti bindshëm liderin e kahershëm të vendit, Aleksandar Vuçiq.
“Ky ndryshim mund ta ndihmojë edhe rajonin që të lëvizë në drejtimin e duhur. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe shpresoj që në samitin e ardhshëm të zgjerimit të kemi rezultate më konkrete nga rajoni”, u shpreh Gorçeviq.
Ajo foli edhe për mosmarrëveshjet mes Malit të Zi dhe Kroacisë, duke theksuar se qeveria e saj është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me konfliktet e viteve 1990 në Ballkan.
Në tetor, Zagrebi u dërgoi vendeve të tjera anëtare të BE-së një dokument me tetë pika, ku renditen çështjet që kërkon të zgjidhen përpara se Mali i Zi të anëtarësohet në bllok.
“Jam e bindur se në të ardhmen nuk duam të kemi përplasje me Kroacinë. Duam t’i zgjidhim mosmarrëveshjet dypalëshe”, deklaroi ministrja, duke shtuar se një marrëveshje mund të arrihet edhe pas anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Ajo theksoi se Podgorica do të ishte e gatshme t’i zgjidhte këto çështje përpara anëtarësimit, nëse kjo do të ishte e mundur. Megjithatë, sipas saj, mosmarrëveshjet kufitare nuk duhet të shndërrohen në pengesë për integrimin e vendit.
Gorçeviq përmendi si shembull edhe mosmarrëveshjen e pazgjidhur kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë, duke argumentuar se çështje të tilla nuk duhet të pengojnë rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. /Telegrafi/





























