Samsung ka bërë të ditur se versioni i përditësuar i funksionit për zbulimin e shenjave të apnesë së gjumit tashmë është i disponueshëm në SHBA, përfshirë edhe në unazën inteligjente Galaxy Ring.

Kompania njoftoi javën e kaluar se versioni i ri kishte marrë miratimin në Korenë e Jugut, pasi ishte autorizuar edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në korrik. Sipas Samsung, Galaxy Ring është unaza e parë inteligjente që ofron një funksion të miratuar nga FDA për zbulimin e rrezikut të apnesë së gjumit, pa pasur nevojë për recetë mjekësore.


Versioni fillestar i këtij funksioni, i cili mori autorizimin De Novo nga FDA në shkurt të vitit 2024, mund të tregonte vetëm nëse gjatë gjumit ishin vërejtur shenja të apnesë së moderuar ose të rëndë, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, versioni i ri analizon më në detaje treguesit jetësorë gjatë gjumit dhe ofron informacione më të hollësishme për nivelin e çrregullimeve të frymëmarrjes. Këto të dhëna mund t'u ndihmojnë përdoruesve të zhvillojnë biseda më të informuara me mjekët e tyre.

Në mesin e orëve inteligjente, funksioni është i disponueshëm në Galaxy Watch9 me sistemin Wear OS 7.0 ose versionet më të reja. Ndërsa Galaxy Watch7 dhe Galaxy Watch8 pritet ta marrin atë përmes përditësimeve të ardhshme të softuerit.

Megjithatë, Samsung nuk e ka përmendur këtë herë modelin Galaxy Watch Ultra2, ndonëse ai ishte përfshirë në listën e pajisjeve për të cilat ishte paralajmëruar lansimi i funksionit në Korenë e Jugut.

Sa i përket Galaxy Ring, kompania thekson se dizajni i lehtë i unazës e bën atë mjaftueshëm të rehatshme për t'u mbajtur edhe gjatë gjithë natës.

Funksioni gjendet në aplikacionin Samsung Health Monitor dhe kërkon një telefon Galaxy të pajtueshëm. Ai është i destinuar për personat e moshës 18 vjeç e lart, ndërsa për të marrë një rezultat nevojiten të dhëna të vlefshme nga dy net gjumi brenda një periudhe prej 10 ditësh.

Samsung thekson se ky funksion nuk është i destinuar për personat që tashmë janë diagnostikuar me apne të gjumit dhe nuk mund ta zëvendësojë diagnostikimin profesional nga një mjek i kualifikuar. /Telegrafi/