Vendosni fjalën kyçe....

Rama takohet me Rutte në selinë e NATO-s: Vlerësime për investimet shqiptare në mbrojtje


Gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Edi Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës.

Në fokus të takimit ishte ecuria e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe angazhimi i vendit për përmbushjen e detyrimeve si anëtar i NATO-s.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shprehu kënaqësinë për vlerësimet dhe inkurajimin që, sipas tij, ka marrë nga kreu i Aleancës lidhur me investimet shqiptare në fushën e mbrojtjes.

“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se gjatë takimit mori vlerësime për ecurinë e sektorit të mbrojtjes dhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e angazhimeve ndaj Aleancës.

“Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”, u shpreh Rama.