
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar takimin si të veçantë, duke vlerësuar figurën e Rutte si një njohës të mirë të Europës dhe një vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri bëri të ditur se gjatë takimit ka marrë vlerësime dhe inkurajime për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si dhe për seriozitetin e vendit në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
”Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”,-shkruan Rama.




