Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë, Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e 27-vjeçares. Aktakuza është ngritur në mungesë më 22 tetor 2026 dhe shënon një zhvillim të ri në një prej rasteve që ekspozoi dështimin e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur një grua që kishte kërkuar ndihmë përpara se të vritej.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Përveç vrasjes, A.J. akuzohet edhe për veprën penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, pas ngritjes së aktakuzës mbeten ende pa përgjigje disa pyetje thelbësore: çfarë ndryshoi në hetime pas 15 vjetësh, pse procedura u avancua pikërisht tani dhe ku ndodhet aktualisht i akuzuari? Sipas raportimeve të mëhershme, ai ndodhej në Spanjë, ndërsa autoritetet kosovare kishin hasur pengesa për ekstradimin e tij. Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Prokuroria për vonesën dhe zhvillimet në hetim, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e lajmit.
As Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte konfirmuar nëse e kishte pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhej procedura gjyqësore.
Diana kërkoi mbrojtje, por gjykata nuk vendosi
Diana Kastrati ishte vetëm 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo u qëllua me armë zjarri në qafë. Për vrasjen dyshohej ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.
Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për ndërprerjen e bashkësisë jashtëmartesore, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre. Pas kësaj, ajo ishte larguar dhe ishte vendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.
Më 26 prill 2011, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente. Sipas ligjit në fuqi në atë kohë, gjykata duhej të merrte vendim brenda 24 orëve.
Por kërkesa nuk mori përgjigje. Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.
Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë
Pas vrasjes, prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, nisën një betejë ligjore për të kërkuar përgjegjësi institucionale. Në prill të vitit 2012, ata iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.
Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë. Ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.
Sipas aktgjykimit, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar nga neni 25 i Kushtetutës së Kosovës dhe neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar nga nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe neni 13 i Konventës Evropiane.
Në vendim përmendej edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.
Shteti u detyrua të paguante dëmshpërblim
Prindërit e Dianës vijuan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi edhe përmes gjykatave civile. Në nëntor të vitit 2013, ata ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës dhe mosveprimi i autoriteteve.
Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore. Pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023. Sipas vendimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.
Spanja refuzoi ekstradimin, hetimet u pezulluan
Një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit ndër vite ishte pamundësia për ta sjellë të dyshuarin nga Spanja në Kosovë. Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar refuzimin e ekstradimit nga autoritetet spanjolle. Sipas organizatës, pas këtij zhvillimi Prokuroria kishte pezulluar hetimet.
Ngritja e aktakuzës më 22 tetor 2026 është një hap i ri në këtë çështje, por nuk do të thotë se i akuzuari është shpallur fajtor. Ai prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Rasti i Dianës rikthen në vëmendje tragjedinë e Arlinda Zekajt
Aktakuza vjen në një kohë kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Pejë. Edhe ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.
Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës nxorën në pah një sërë lëshimesh në trajtimin e rastit. Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i datës 16 tetor, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë. Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar kërkesën e një hetuesi për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.
Pas vrasjes u pezulluan nga detyra disa zyrtarë policorë dhe prokurorë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqjen më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka themeluar një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.
Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, ato kanë rikthyer në qendër të debatit të njëjtën pyetje: a po reagojnë institucionet në kohë për t’i mbrojtur gratë që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë, apo ndërhyrja vjen vetëm pasi është tepër vonë?


