Bashkia e Tiranës mbyll sytë para gjendjes mjerane që ndodhen autobusët e Laprakës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.11.2026, 16:40

Për qytetarët e Tiranës, përdorimi i transportit publik është kthyer prej kohësh në një kalvar vuajtjesh, por pamjet e reja të siguruara nga linja e Laprakës dëshmojnë se situata ka kapur majat e degradimit dhe papërgjegjshmërisë.

Në pamjet e videos brenda këtij autobusi, realiteti që shfaqet është alarmant. Dyshemetë e amortizuara, pjesët e dëmtuara dhe të shqyera të interierit, ndenjëset e konsumuara, si dhe tavani e elementët e tjerë të kabinës që dëshmojnë mungesë totale mirëmbajtjeje, përbëjnë një rrezik të hapur për shëndetin dhe sigurinë e udhëtarëve

Udhëtarët, mes të cilëve fëmijë, të rinj dhe të moshuar, detyrohen të udhëtojnë përditë në kushte mjerimi, ku higjiena mungon plotësisht dhe mjetet ngjajnë më shumë me gërmadha lëvizëse sesa me mjete që ofrojnë shërbim publik në kryeqytetin e një vendi që aspiron Bashkimin Europian.

Ndërkohë që tarifat e biletave rëndojnë çdo ditë xhepat e qytetarëve, kompanitë koncesionare dhe operatorët e linjave vazhdojnë të korrë fitime, duke ofruar në këmbim shërbime që fyejnë dinjitetin njerëzor. Pyetja që ngrihet çdo ditë është e thjeshtë: Ku janë strukturat kontrolluese të Bashkisë së Tiranës dhe institucionet e licensimit? Pse tolerohen këto mjete jashtë çdo standardi teknik e njerëzor që vazhdojnë të qarkullojnë të pashqetësuara në rrugët e Tiranës?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit