Turizmi global drejt nivelit rekord 1.57 miliardë vizitorë në 2026, Europa me rritje 5%

Udhëtimet ndërkombëtare në Europë parashikohet të rriten me 5% në vitin 2026, sipas raportit WTM Global Travel Report.
Sipas një raporti të ri të publikuar në panairin World Travel Market (WTM) në Londër, turizmi ndërkombëtar pritet të arrijë një nivel të ri rekord në vitin 2026, pavarësisht konflikteve dhe rritjes së kostove. Europa parashikohet të presë 226 milionë turistë ndërkombëtarë më shumë në vitin 2032 krahasuar me vitin 2026.
Turizmi global pritet të arrijë një rekord prej 1.57 miliardë mbërritjesh ndërkombëtare me të paktën një natë qëndrimi gjatë vitit 2026, ndërsa mbërritjet në Europë parashikohet të rriten me 5%, teksa udhëtarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione më pranë vendeve të tyre.
Pavarësisht konflikteve, çmimeve më të larta të biletave ajrore dhe kufizimeve që sjell kostoja e jetesës, mbërritjet ndërkombëtare në mbarë botën pritet të rriten me 2% krahasuar me vitin 2025, sipas raportit WTM Global Travel Report 2026.
Numri i përgjithshëm i netqëndrimeve turistike, duke përfshirë udhëtimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, pritet të arrijë në 23.9 miliardë. Shpenzimet e turistëve në destinacione, në të dy tregjet së bashku, parashikohet të rriten me 9%, duke arritur në 7.8 trilionë dollarë.
Raporti u publikua në ditën e hapjes së panairit World Travel Market (WTM), në qendrën ExCeL të Londrës. Ai është hartuar nga Tourism Economics, një kompani e grupit Oxford Economics, duke u mbështetur në të dhëna që mbulojnë më shumë se 185 vende.
Tre në katër konsumatorë deklarojnë se udhëtimet turistike çdo vit mbeten një përparësi e rëndësishme, pavarësisht rritjes së kostos së jetesës. Megjithatë, udhëtarët po ndryshojnë mënyrën se si i organizojnë pushimet dhe destinacionet që zgjedhin.
Europa përfiton nga zgjedhja e destinacioneve më pranë vendbanimit
Rritja e parashikuar 5% e mbërritjeve ndërkombëtare me të paktën një natë qëndrimi në Europë gjatë vitit 2026 është më e lartë se mesatarja globale. Raporti WTM e identifikon Europën si një nga rajonet që po përfiton veçanërisht nga ndryshimi i modeleve dhe prirjeve të udhëtimit.
Në nivel botëror, udhëtimet brenda të njëjtit rajon parashikohet të rriten me 3% në vitin 2026, ndërsa udhëtimet ndërmjet rajoneve, përfshirë ato në distanca të gjata, pritet të bien me 3%.
Udhëtimet më të gjata janë prekur veçanërisht nga rritja e çmimeve të biletave dhe shqetësimet për sigurinë.
Raporti evidenton se çmimet më të larta të naftës kanë nxitur inflacionin dhe kanë rritur kostot e udhëtimit. Ndërkohë, reduktimi i kapaciteteve të transportit ajror përmes qendrave kryesore të tranzitit në Gjirin Persik dhe kujdesi më i madh i udhëtarëve kanë ndikuar gjithashtu në kërkesë.
Lindja e Mesme ka përjetuar rënien më të fortë, me mbërritjet ndërkombëtare që parashikohet të tkurren me 40% gjatë këtij viti.
Europa mbetet gjithashtu rajoni më i madh pritës në botë për sa i përket netqëndrimeve të turistëve ndërkombëtarë që udhëtojnë për pushime. Këto netqëndrime parashikohet të rriten me 4% në vitin 2026.
Rritja e turizmit global pritet të përshpejtohet në vitin 2027
Mbërritjet ndërkombëtare në mbarë botën parashikohet të rriten me 8% vitin e ardhshëm, përfshirë një rimëkëmbje prej 11% të udhëtimeve ndërmjet rajoneve, ndërsa ndërprerjet në transport dhe udhëtime pritet të zbuten.
Mbërritjet në Europë pritet të rriten me 5% të tjera, ndërsa Lindja e Mesme parashikohet të shënojë një rimëkëmbje prej 43%.
Megjithatë, edhe pas kësaj rimëkëmbjeje, numri i mbërritjeve në Lindjen e Mesme do të mbetet nën nivelin e vitit 2025.
Raporti paralajmëron se vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe shpërthimi i konflikteve të reja mund ta vonojnë rimëkëmbjen e parashikuar.
Europa pritet të presë 226 milionë turistë më shumë në vit deri në 2032
Në një plan më afatgjatë, Europa pritet të regjistrojë rritjen më të madhe në numër absolut të mbërritjeve ndërkombëtare krahasuar me çdo rajon tjetër të botës.
Numri vjetor i mbërritjeve parashikohet të rritet me 226 milionë ndërmjet viteve 2026 dhe 2032, me një normë mesatare rritjeje prej rreth 4% në vit.
Në nivel global, mbërritjet ndërkombëtare me të paktën një natë qëndrimi parashikohet të arrijnë në 2.2 miliardë deri në vitin 2032.
Kjo rritje pritet të mbështetet nga shtimi i të ardhurave, ruajtja e udhëtimeve si një përparësi për konsumatorët dhe zgjerimi i kapaciteteve të transportit ajror dhe akomodimit.
Shpenzimet për pushime në Europë vazhdojnë të rriten
Shpenzimet për udhëtime turistike në Europë, duke përfshirë vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë, parashikohet të arrijnë në 2.05 trilionë dollarë (1.83 trilionë euro) gjatë vitit 2026.
Shpenzimet e turistëve ndërkombëtarë pritet të rriten me 11%, ndërsa ato të turistëve vendas me 8%.
Këto shifra janë llogaritur në dollarë amerikanë me vlerë nominale dhe nuk janë korrigjuar për efektin e inflacionit.
Vizitorët ndërkombëtarë përbëjnë rreth një të tretën e shpenzimeve turistike në Europë, përqindja më e lartë ndër tri tregjet më të mëdha rajonale të turizmit: Europa, Azia dhe Amerika e Veriut. / Euronews, Oxford Econom8cs
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









