Nga Boldnews.al
Se çfarë i tha dhe si ja tha pastori Veliajt atë që i kishte thënë Rama, kjo është ende sekret, por në këtë mes ka një gjë të dukshme të madhe, e cila nis si deklaratë dhe përfundon me trimëri. “Unë kam pasur një komunikim të tensionuar me kryeministrin. Kam pasur telefonatë me kërcënime e sharje reciproke. Të tensionuar.”- deklaroi avokati i Veliajt, ish-Sekretar i Përgjitshëm në dy ministri dhe deputet i PS-së, Plarent Ndreca.
Po, Plarent Ndreca, me rrënjë fisnore mirditore të shtrira në degë edhe në Lezhë, tha në emisionin më të ndjekur në vend qe kishte pasur “sharje reciproke” me kryeministrin Rama. Në kuptimin shqip, reciproke do të thotë “ma bëre, ta bëj”, duke mos i lënë asgjë mangët, pra, shaj Rama e shaj Ndreca… Se kush e mbylli telefonin i pari këtë nuk e dimë, ndoshta do e mësojmë në një kohë tjetër, pasi i duhet lënë kohë kësaj përballjeje titanësh nëpërmjet telefonit.
Kushdo që ka punuar me Ramën e di mirë si është fjalori i tij kur shan, fyen apo kërcënon. Thonë se ka një fjalor të zgjeruar që nis me personin dhe më pas zgjerohet me familjen, fisin, farën, rrënjën, krushqitë e miqtë. Ndreca tha se i është përgjigjur dhëmb për dhëmb talefonatës së tensionuar, duke vënë kapakun se kaluan në “sharje reciproke”.
Në mitologji, apo gojëdhëna të trashëguara brez pas brezi dhe jo rrip pas rripi, jemi të mbushur me emra heronjsh, ca të vërtetë dhe të tjerë imagjinarë. Flitet për trima që rrinin në këmbë me shtatë e më shumë plagë të thella. Për njerëz që i vinin gjoksin topit, por harrojmë që kemi herojtë e ditëve të sotme. I njohim si “avokatë” ish-politikanë të rangut të lartë apo ca cinikë që i ka përfshirë smira dhe u erren sytë nga suksesi i tjetrit i kujtojnë kapelen e policit… Ama asnjë prej tyre nuk e ka sharë Ramën reciprokisht.
Disa mund ta lidhin me ujin që kanë pirë të parët në gurrat mitologjike, të tjerë e lidhin me zonën nga janë rrënjët e dega, apo trimëritë e fituara vitet e fundit kur piu sisën e “gjirit të partisë” në dy ministri…
Nëse do ishte vetëm krahina apo lidhja e dikurshme me policinë pyetja që ngrihet është: po t’i ndodhte fjala vjen kryebashkiakut të Lezhës, (burrë nga krahina me emër e me formim policor) a do e shante Ramën reciprokisht? Vështirë të besohet, por dikush doli dhe e bëri!














