Mbi 100 servera u goditën dhe 7 persona u arrestuan pas kontrolleve në 17 ambiente të kontrolluara në disa shtete. Në to, ishin ngritur infrastruktura për mashtrimin e qytetarëve me investime online, prej të cilëve kanë arritur të përfitojnë mbi 4 milionë euro.
Operacioni nga Europol dhe Eurojust u mbështet edhe nga SPAK dhe Policia e Shtetit.
Një kompani me bazë në Qipro dhe në Izrael, dyshohet se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti të rreme për tregtim financiar. Edhe persona nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, janë identifikuar si klientë që kanë blerë këto sisteme për të mashtruar qytetarët. Kompania dyshohet se u ofronte grupeve të tjera infrastrukturën teknologjike për kryerjen e mashtrimeve, sipas një modeli të njohur si ‘crime-as-a-service’, apo ofrimi i shërbimeve për veprimtari kriminale.
Por si funksiononte skema e mashtrimit?
Personave të huaj, të paktën nga 50 vende të ndryshme, u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Ata i joshnin fillimisht me fitime fiktive, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t'i bindur të investonin gjithnjë e më shumë para. Problemi shfaqej kur kërkonin t’i tërhiqnin paratë. Operatorët gjenin arsyetime për t’i shtyrë pagesat, derisa në fund ndërprisnin çdo kontakt.
Të arrestuarit pritet të ekstradohen në Gjermani, ndërsa 3 prej tyre janë arrestuar në Kosovë, sipas mediave vendase.
Rrjeti nisi të zbulohej në vitin 2022, kur një çift në Gjermani raportoi se nuk po arrinte t’i tërhiqte paratë e investuara përmes një platforme tregtimi në internet.
Operacioni i parë ndërkombëtar, i zhvilluar po atë vit, rezultoi me arrestimin e dy personave
Një operacion i dytë, në vitin 2025, solli arrestime të tjera dhe sekuestrimin e parave dhe provave, të cilat i çuan hetuesit te kompania që dyshohet se siguronte infrastrukturën teknologjike për mashtrimet.
Hetimi katërvjeçar u drejtua nga Prokuroria gjermane.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë






Komente
Komento