Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike “Peizazhi i kërcënimeve në ditët e sotme”, diskutoi mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike në kushtet e zgjerimit të shërbimeve digjitale, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve kombëtare në këtë fushë.
Pjesëmarrës në aktivitet ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Eric Wendt.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se sulmi kibernetik i vitit 2022 shënoi një pikë kthese në qasjen e qeverisë ndaj sigurisë kibernetike, duke e kthyer atë në një prioritet dhe duke nxitur forcimin e kapaciteteve institucionale, financiare dhe ligjore.
“Që nga ai moment, sigurisht që për ne siguria kibernetike u bë prioritet. Tashmë Autoriteti është rritur në numër, është rritur në financime, ka miratuar legjislacionin, po harton strategjinë e zhvillimit, janë ngritur dhe po ngrihen CERT-e sektoriale”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja nënvizoi se mbrojtja kibernetike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve publike, por kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve ekonomikë, veçanërisht të bizneseve, të cilat përdorin çdo ditë sistemet digjitale për pagesa, administrimin dhe ruajtjen e të dhënave.
Sipas ministres, investimet në sigurinë kibernetike janë të domosdoshme për të parandaluar sulmet që mund të cenojnë vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe të shkaktojnë ndërprerjen e shërbimeve të bizneseve.
“Është detyra jonë që ta informojmë sektorin privat, i cili përdor shërbimet digjitale për të kryer pagesa dhe për të ruajtur të dhëna, se sa e rëndësishme është të investojë në parandalimin e sulmeve kibernetike, të cilat mund të shkaktojnë edhe paralizimin e biznesit të tyre në shumë fusha të ekonomisë”, theksoi ministrja.
Në këtë drejtim, Ibrahimaj vuri në dukje rëndësinë e edukimit dhe formimit profesional për krijimin e burimeve njerëzore të specializuara. Ajo bëri të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, janë hartuar kurrikula që synojnë përfshirjen e sigurisë kibernetike në sistemin bazë arsimor, ndërsa arsimi profesional dhe kurset e formimit afatshkurtër do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre kapaciteteve.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është mbështetja e sipërmarrjeve që zhvillojnë zgjidhje dhe shërbime në fushën e sigurisë kibernetike.
Ministrja bëri të ditur se deri tani janë financuar gjashtë startup-e në këtë sektor, ndërsa, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në Shqipëri operojnë 72 biznese që kanë si fokus kryesor sigurinë kibernetike, 28 prej të cilave janë regjistruar gjatë vitit të fundit.
“Publiku mund të garantojë standardet, mund të hartojë legjislacionin, mund të bëjë monitorimin e këtyre standardeve, por nuk mund të jetë ofruesi i shërbimeve për të gjithë atë nevojë që ka tregu në këtë moment”, u shpreh Ibrahimaj, duke theksuar rolin e sektorit privat në plotësimin e nevojave në rritje të ekonomisë për shërbime të specializuara.
Duke iu referuar pozicionit të Shqipërisë në sigurinë rajonale, ministrja vlerësoi se kapacitetet e ndërtuara dhe përvoja e fituar krijojnë mundësi që vendi të kontribuojë edhe në forcimin e sigurisë kibernetike në rajon.
“Unë besoj që Shqipëria, me numrin e madh të shërbimeve digjitale të ofruara dhe me nivelin e lartë të digjitalizimit të sektorit publik, është një rast i cili mund të shërbejë si rast suksesi për të gjitha vendet e rajonit. Jemi një partner i besueshëm dhe nuk përbëjmë më, si disa vite më parë, një hallkë të dobët, por besoj që jemi një pikë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë rajonale”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.









Komente
Komento