Reshjet e shiut dhe mjegulla kanë shoqëruar këtë të martë qytetin e Vlorës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve rrugore të zonës.
Mjegulla është shfaqur kryesisht në segmentet rrugore që ndodhen në lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit, si në rrugën e Kaninës, By-Passin e Vlorës dhe në zonën e Llogorasë.
Prania e mjegullës ka ulur ndjeshëm fushëpamjen për drejtuesit e automjeteve, duke i detyruar ata të reduktojnë shpejtësinë gjatë lëvizjes.
Kushtet e vështira atmosferike kërkojnë kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në segmentet malore dhe në akset ku shikueshmëria është e kufizuar.













