Deputeti i Partisë Demokratike, Tedi Blushi, ka kërkuar në Komisionin e Ligjeve që Kuvendi të mbajë një qëndrim zyrtar lidhur me pretendimet e Erion Veliajt se është kërcënuar në burg nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në emër të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Blushi akuzoi qeverinë se po përdor institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar për presion politik.
Ai e cilësoi SPAK-un si një instrument në duart e kryeministrit, ndërsa kërkoi që Komisioni i Ligjeve t’i propozojë Kuvendit miratimin e një rezolute për atë që e quajti persekutim politik në burgje.
Duke iu referuar letrës së publikuar nga Veliaj, deputeti demokrat tha se pretendimet për kërcënimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës duhet të trajtohen si një çështje që lidhet me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pavarësisht qëndrimeve politike ndaj tij.
“Nuk më intereson aspak lufta apo përplasja mes dy drejtuesve, deri dje kryesorë të kësaj mazhorance dhe as fakti që organizata juaj mafioze po ha kokën apo po hani kokat e njëri-tjetrit, por ajo që më shqetëson është fakti që ky Komision vijon të bëjë sikur asgjë nuk po ndodh në vendin tonë dhe për më tepër kur shkelen në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”, deklaroi Blushi.
Ai u ndal te pretendimi se ministri i Drejtësisë i ka përcjellë Veliajt mesazhe kërcënuese në emër të Ramës, përfshirë paralajmërimin se mund të përballej me një dënim prej 100 vitesh burg nëse nuk pranonte kërkesat e pretenduara.
Blushi kërkoi që Komisioni i Ligjeve të mos qëndrojë spektator përballë këtyre zhvillimeve, duke theksuar se duhet të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Kur SPAK-u po konfirmohet që ka shërbyer si kallashnikov në duart e Edi Ramës, ose si kamzhik për të fshikulluar të gjithë kundërshtarët politikë të Edi Ramës. Ndaj ju kërkoj që ky Komision të dalë me një qëndrim dhe t’i propozojë Kuvendit një rezolutë në lidhje me faktin që sistemi penitenciar është kthyer në një mekanizëm çnjerëzor të persekutimit politik”, u shpreh deputeti demokrat.
Reagimi i Blushit vjen pas publikimit nga Erion Veliaj të një letre ku ai përshkruan versionin e tij për takimin me ministrin Toni Gogu në burgun e Fierit.
