Aktakuzë për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pas krimit

Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë, Prokuroria Themelore në këtë qytet ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e saj.

Prokuroria konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se aktakuza u ngrit më 22 tetor 2026. A.J. akuzohet edhe për veprën penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të lidhura

None found

Nuk është bërë e ditur se çfarë zhvillimesh kanë ndodhur pas një dekade e gjysmë që kanë çuar në ngritjen e aktakuzës në këtë kohë. Sipas raportimeve të mëparshme, i akuzuari ndodhej në Spanjë, ndërsa autoritetet e Kosovës kishin hasur vështirësi për ta ekstraduar.

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Prokuroria sqarime për vonesën, ecurinë e hetimeve dhe vendndodhjen e tanishme të të akuzuarit, por deri në publikimin e lajmit nuk mori përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte konfirmuar ende nëse aktakuza i ishte dorëzuar dhe në çfarë etape ishte procedura gjyqësore.

Rasti i Kastratit është përmendur si shembull i dështimit të institucioneve për t’i mbrojtur gratë nga dhuna në Kosovë. Ajo u vra 22 ditë pasi i kërkoi gjykatës mbrojtje emergjente. Gjykata nuk e trajtoi kërkesën, dhe më vonë Kushtetuesja e cilësoi mosveprimin si shkelje të së drejtës për jetë.

Vrasja pas kërkesës së pambështetur për mbrojtje

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra në Prishtinë, më 18 maj 2011. Dokumentet gjyqësore thonë se ajo u qëllua me armë zjarri në qafë. Për vrasjen dyshohej ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013, më 17 janar 2011 Diana kishte paditur A.J. për zgjidhjen e bashkësisë jashtëmartesore, pasi marrëdhëniet mes tyre ishin përkeqësuar. Pas kësaj, ajo u vendos me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill, duke pretenduar se ishte kërcënuar bashkë me vajzën, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe kërkoi urdhër emergjent për mbrojtje. Ligji parashikonte që gjykata të vendoste brenda 24 orëve, por kërkesa nuk mori përgjigje.

Vrasja ndodhi 22 ditë më vonë. Prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, nisën më pas një betejë të gjatë ligjore lidhur me mosveprimin e gjykatës.

Kushtetuesja gjeti shkelje të së drejtës për jetë

Në prill 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se Gjykata Komunale në Prishtinë, me mosveprimin e saj, kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre. Në shkurt 2013, Kushtetuesja vendosi në favor të tyre.

Gjykata konstatoi se Gjykata Komunale nuk i kishte përmbushur detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës së Dianës për mbrojtje emergjente. Sipas vendimit, kjo përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të paraparë në nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja gjeti gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar nga nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe neni 13 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aktgjykimi përmend edhe një masë disiplinore të marrë ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën.

Prindërit kërkuan kompensim nga shteti

Pas vendimit të Kushtetueses, Gëzim dhe Makfire Kastrati vijuan kërkesat për përgjegjësi institucionale. Në nëntor 2013, ata ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës dhe dështimi i autoriteteve për ta mbrojtur.

Më 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve 95 mijë euro për vuajtjet shpirtërore. Pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e reduktoi dëmshpërblimin në 30 mijë euro, në shkurt 2023.

Vendimi i Apelit përcaktoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duhej ta paguanin shumën në mënyrë solidare.

Ekstradimi nga Spanja mbeti pengesë

Për vite me radhë, procedimi i rastit u pengua nga pamundësia për ta ekstraduar të dyshuarin nga Spanja. Në maj 2022, organizata QIKA njoftoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar refuzimin e Spanjës për ta ekstraduar atë në Kosovë.

QIKA raportoi gjithashtu se Prokuroria i kishte pezulluar hetimet. Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Aktakuza e ngritur tani përbën një zhvillim të ri në një rast që nuk ka pasur epilog penal për 15 vjet. Megjithatë, ngritja e saj nuk e shpall fajtor të akuzuarin: ai konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Aktakuza pas një tjetër vrasjeje që tronditi Kosovën

Njoftimi për aktakuzën ndaj A.J. vjen ndërsa në Kosovë ka pasur reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, më 25 tetor. Për këtë krim dyshohet ish-kunati i saj. Edhe Zekaj u kishte kërkuar institucioneve mbrojtje, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Gjetjet paraprake të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) evidentuan disa mangësi në trajtimin e rastit. Sipas Inspektoratit, Policia nuk kishte dokumentuar zbatimin e urdhrit mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa urdhri tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.

IPK-ja bëri të ditur gjithashtu se drejtuesit e Policisë në Pejë nuk kishin trajtuar kërkesën e një hetuesi për ta rivlerësuar rrezikun dhe për të shtuar masat e sigurisë për Zekajn.

Pas vrasjes, disa zyrtarë policorë dhe prokurorë u pezulluan. Më 30 tetor, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, duke e përshkruar vendimin si shprehje të përgjegjësisë morale.

Kuvendi i Kosovës ka krijuar edhe një komision hetimor parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me rastin.


Shtuar më 3.11.2026 13:42