Të martën, më 3 nëntor, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur zgjedhjet e mesmandatit.

Në këto zgjedhje, amerikanët nuk kanë votuar për presidentin, por për përbërjen e Kongresit amerikan.


Në garë kanë qenë 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet në Senat.

Përveç vendeve në Kongres, në disa shtete amerikane qytetarët votojnë edhe për guvernatorët.

Për të mësuar rreth zhvillimeve sa i përket këtyre zgjedhjeve, rezultateve dhe reagimeve, Telegrafi do t’ju mbajë të informuar, minutë pas minute. /Telegrafi/

04/11/2026 12:21- Trump kritikon republikanët, por pranon se demokratët bënë “punë të mirë” në zgjedhje

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar republikanët pas humbjeve në zgjedhjet afatmesme, ndërsa ka pranuar se demokratët kanë bërë “punë të mirë”, pasi siguruan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump sulmoi Greg Abbottin, i cili humbi garën për guvernator të Teksasit ndaj demokrates Gina Hinojosa. Presidenti pretendoi se Abbot nuk do ta kishte humbur garën nëse gjatë gjashtë muajve të fundit nuk do të ishte shndërruar në një “RINO”, shkurtesë për shprehjen “Republikan vetëm në emër”, më shumë këtu.

04/11/2026 11:02- Demokratët pritet të fitojnë 258 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, rezultati më i mirë në mbi tri dekada

Nata e zgjedhjeve po vazhdon të sjellë rezultate gjithnjë e më të favorshme për demokratët dhe humbje të mëdha për presidentin amerikan, Donald Trump, dhe Partinë Republikane.

Sipas projeksioneve të NBC News, demokratët pritet të fitojnë 258 vende në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 10:55-Kansasi dërgon një demokrat në Senatin e SHBA-së për herë të parë që nga viti 1932

Kansasi dërgon një demokrat në Senatin e SHBA-së për herë të parë që nga viti 1932

Demokrati Adam Hamilton fitoi një vend në Senatin e SHBA-së nga Kansas-i të martën, sipas parashikimeve të mediave amerikane.

Ai mundi republikanin në detyrë, Roger Marshall, duke u bërë demokrati i parë që fiton një garë për Senatin në këtë shtet konservator dhe kryesisht rural, që nga viti 1932.

Ky rezultat është një goditje për ish-presidentin Donald Trump, i cili fitoi në Kansas me një diferencë prej më shumë se 10 pikësh në secilën nga tri fushatat e tij presidenciale.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

04/11/2026 09:55- Fitore historike për pakicat në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Zgjedhjet afatmesme të së martës në Shtetet e Bashkuara sollën një sërë rezultatesh historike, me disa kandidatë nga komunitetet e pakicave që fituan poste të rëndësishme shtetërore dhe federale.

Këto fitore u shënuan në një natë kur demokratët arritën rezultate të theksuara, ndërsa votuesit shprehën pakënaqësi ndaj mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 09:23- Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA: Çfarë nënkupton humbja e Trumpit për Evropën dhe tregjet globale?

Demokratët kanë fituar kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, duke i shkaktuar presidentit Donald Trump një nga humbjet më të mëdha politike të karrierës së tij. Rezultati pritet të ketë ndikim edhe përtej kufijve të SHBA-së, veçanërisht në raportet me Evropën, politikat tregtare dhe mbështetjen për Ukrainën.

Humbja e republikanëve është interpretuar si një vlerësim negativ i votuesve për presidencën e Trumpit, ndërsa çështjet kryesore që ndikuan në rezultat ishin kostoja e lartë e jetesës dhe politikat ekonomike të administratës, për më shumë kliikoni këtu.

04/11/2026 08:48- Abdul El-Sayed fiton garën në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka fituar garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke u bërë senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara, sipas projeksioneve të NBC News.

Fitorja e demokratëve në Michigan i shtohet humbjeve të republikanëve në disa gara të tjera për Senat, përfshirë ato në Iowa, Kansas, Ohio, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas, më shumë këtu.

04/11/2026 08:36- Obama reagon pas fitores së demokratëve: Populli amerikan dërgoi një mesazh të qartë

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, duke i cilësuar fitoret e demokratëve si një mesazh të qartë të qytetarëve amerikanë për drejtimin që dëshirojnë t’i japin vendit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, teksa rezultatet po bëheshin të ditura të martën në mbrëmje, Obama tha se amerikanët duan një politikë që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan, si dhe udhëheqës që ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen qytetarët, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 08:26- Abdul El-Sayed: U përballa me një nga fushatat më të shëmtuara që kam parë gjatë jetës sime

Kandidati demokrat për Senatin amerikan në Michigan, Abdul El-Sayed, ka deklaruar se gjatë fushatës zgjedhore është përballur me sulme dhe akuza të ashpra, të cilat i cilësoi si pjesë të një prej fushatave më të shëmtuara që ka përjetuar ndonjëherë.

El-Sayed mund të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara, nëse arrin të mposhtë kandidatin republikan Mike Rogers, i cili ka mbështetjen e presidentit Donald Trump, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 08:19- “Laserët e mi hapësinorë për të ndikuar në zgjedhje nuk funksionuan”, Musk ironizon pas humbjes së republikanëve

Edhe pse Elon Musk është tërhequr nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai ka vazhduar të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të republikanëve.

Miliarderi amerikan ka dhuruar më shumë se 480 milionë dollarë për kandidatët republikanë në zgjedhjet e fundit, ndërsa pas humbjes së thellë të tyre ka reaguar me disa komente ironike në rrjetet sociale, për më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 07:58- Mbyllen qendrat e fundit të votimit edhe në Alaskë

Alaska është shteti i fundit që mbyll qendrat e votimit, duke i dhënë fund procesit të votimit në zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti.

Kjo e mban ende në qendër të vëmendjes një nga garat më të pazakonta për Senatin, e cila është ndjekur me shumë interes.

Senatori aktual republikan, Dan Sullivan, po përpiqet të ruajë vendin e tij përballë kandidates demokrate, Mary Peltola.

04/11/2026 07:02-Rezultatet e reja për Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve

Demokratët kanë siguruar 53 ulëse, kundrejt 41 të republikanëve, duke arritur shumicën e nevojshme për të marrë kontrollin e kësaj dhome të Kongresit.

Edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët janë në rrugë për të marrë shumicën. Deri në momentin e publikimit të grafikës, ata kishin siguruar 210 ulëse, ndërsa republikanët 123.

04/11/2026 06:52-Pas gati 30 vjetësh në Senat, bashkëpunëtorja e Trumpit humb zgjedhjet

Senatorja republikane Susan Collins ka humbur zgjedhjet për Senatin amerikan në shtetin e Maine, duke i dhënë fund karrierës së saj gati 30-vjeçare në këtë institucion.

Collins, e cila ishte pjesë e Senatit që nga viti 1997, u mposht nga kandidati demokrat Troy Jackson, në një nga fitoret e rëndësishme të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Gjatë fushatës, Jackson e kritikoi vazhdimisht senatorën për mbështetjen ndaj presidentit Donald Trump, ndërsa e paraqiti atë si pjesë të politikës që nuk po u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve.

04/11/2026 06:48-Trump paralajmëron demokratët: Do të përdor fuqinë e vetos

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të përdorë fuqinë e vetos për të bllokuar nismat e Kongresit, nëse ai kalon nën kontrollin e demokratëve.

Në një intervistë për Fox News, Trump pranoi se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit e kanë befasuar, por tha se pas disa muajsh bllokimesh mund të arrihet bashkëpunim me demokratët.

04/11/2026 06:16-Rezultatet e deritanishme për Kongres dhe Senat

Demokratët kanë siguruar 52 ulëse, kundrejt 39 të republikanëve, duke arritur shumicën e nevojshme për të marrë kontrollin e kësaj dhome të Kongresit.

Edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët janë në rrugë për të marrë shumicën. Deri në momentin e publikimit të grafikës, ata kishin siguruar 194 ulëse, ndërsa republikanët 110.

04/11/2026 06:11-Trump reagon ashpër pas rezultateve të dobëta zgjedhore

Donald Trump po publikon një sërë reagimesh në rrjetin social Truth Social, pasi demokratët siguruan kontrollin e Kongresit dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.

Ai la të kuptohet se do të flasë më gjerësisht për rezultatet në ditët në vijim, duke thënë se do të “bëhet komentator politik, si për mirë ashtu edhe për keq, për arsyet pse këta kandidatë fituan apo humbën”.

Presidenti amerikan publikoi gjithashtu një fotografi të një kapeleje të kuqe me fjalën “VETO” të shkruar me shkronja të mëdha të bardha, në një stil të ngjashëm me kapelet MAGA, me të cilat ai u bë i njohur, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 05:48-Demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit dhe Senatit amerikan

Demokratët pritet të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, sipas projeksioneve të CNN-it pas zgjedhjeve të mesmandatit të mbajtura më 3 nëntor.

Në Senat, demokratët kanë siguruar 51 ulëse, kundrejt 39 të republikanëve, duke arritur shumicën e nevojshme për të marrë kontrollin e kësaj dhome të Kongresit, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 05:30-Mike Johnson pranon humbjet e republikanëve

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, ka pranuar se zgjedhjet e mesmandatit kanë qenë një natë e vështirë për republikanët, duke shprehur zhgënjimin e tij me rezultatet.

Gjatë një tubimi për përcjelljen e rezultateve në Shreveport të Luizianës, Johnson u zotua se republikanët do ta rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e vitit 2028, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 05:21-Gjenerata Z përfaqësohet për herë të parë në Kongresin amerikan

Demokratja Melat Kiros hyn në histori si gruaja e parë e gjeneratës Z e zgjedhur në Kongresin amerikan

Demokratja Melat Kiros ka hyrë në histori si gruaja e parë e përfaqësuesve të gjeneratës Z që është zgjedhur në Kongresin amerikan.

Sipas projeksionit të Associated Press, avokatja 29-vjeçare me prejardhje etiopiane ka fituar garën për Dhomën e Përfaqësuesve në distriktin e parë zgjedhor të Kolorados, i cili përfshin pjesën më të madhe të Denverit.

04/11/2026 05:08-Demokratët fitojnë garën për Senatin në Teksas

Demokrati James Talarico pritet të fitojë garën për Senatin amerikan në Teksas, duke mposhtur kandidatin republikan dhe prokurorin e përgjithshëm të shtetit, Ken Paxton, sipas projeksionit të CNN-it.

Talarico, 37 vjeç, bëhet demokrati i parë i zgjedhur në Senatin amerikan për të përfaqësuar Teksasin në 38 vjetët e fundit, si dhe demokrati i parë që fiton një garë në nivel shtetëror që nga viti 1994.

Fitorja e tij konsiderohet një nga befasitë më të mëdha të zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026. Kjo pasi ai arriti të mposhtë kandidatin republikan në një shtet që presidenti Donald Trump e kishte fituar me gati 14 pikë përqindjeje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 04:48-Trumpi reagon pas humbjeve të republikanëve: Unë nuk isha kandidat në këto zgjedhje

Donald Trump ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat republikanët po përballen me humbje, duke theksuar se emri i tij nuk ishte në fletëvotim.

Trumpi, i cili deri më tani ka qenë jashtëzakonisht i heshtur në rrjetet sociale, ka publikuar një mesazh në platformën Truth Social, teksa po publikohen rezultatet e zgjedhjeve, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 04:10-Demokrati Hakeem Jeffries drejt historisë

Demokratët pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, sipas projeksioneve të CNN-it, duke i hapur rrugën kongresistit Hakeem Jeffries që të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i këtij institucioni.

Jeffries, 56 vjeç, nuk do ta marrë zyrtarisht këtë detyrë deri më 3 janar. Deri atëherë, ai duhet të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme të kongresistëve të rinj demokratë, si nga krahu progresist, ashtu edhe nga ai i moderuar, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 04:05-Annie Andrews fiton garën për Senatin në Karolinën e Jugut

Demokratja Annie Andrews ka mposhtur republikanen Darline Graham në garën për Senatin në Karolinën e Jugut.

Kjo fitore konsiderohet rezultat i rëndësishëm dhe një tregues i mundshëm i një vale të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Graham është motra e senatorit prej kohësh Lindsay Graham, i cili vdiq në korrik, dhe nuk kishte kandiduar më parë për ndonjë post të zgjedhur.

Ajo ishte përzgjedhur si kandidate nga Donald Trump, prandaj humbja e saj përbën një goditje politike për presidentin amerikan, në një natë të vështirë zgjedhore për republikanët.

04/11/2026 04:00-Përparimi i demokratëve trondit tregjet financiare amerikane

Tregjet financiare në Wall Street kanë reaguar me rënie ndaj rezultateve fillestare të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat po tregojnë përparim të demokratëve.

Indeksi Nasdaq 100 pritej të binte me 1.8 për qind, bazuar në tregtimin paraprak, ndërsa S&P 500 me 0.9 për qind.

Një fitore e thellë e demokratëve mund të shtojë paqëndrueshmërinë në tregjet financiare, veçanërisht në sektorin e inteligjencës artificiale, si dhe të ndikojë në shpenzimet e mbrojtjes dhe rregullimin financiar.

04/11/2026 03:40-Mbyllen qendrat e votimit në North Carolina, Ohio dhe West Virginia

Mbyllen qendrat e votimit në tri shtete të tjera amerikane

Qendrat e votimit sapo janë mbyllur në North Carolina, Ohio dhe West Virginia.

Ohio është një nga shtetet, rezultatet e të cilit do të ndiqen me vëmendje të veçantë në këto zgjedhje të mesmandatit, sidomos për shkak të garës së ngushtë për një ulëse në Senatin amerikan.

04/11/2026 03:35-Trump reagon pas rezultateve të para të zgjedhjeve të mesmandatit

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje votuesve republikanë që presin në radhë për të votuar që të mos largohen nga qendrat e votimit, edhe nëse ato mbyllen para se t’u vijë radha.

“Përshëndetje, republikanë. Po ecim shumë mirë. Nëse jeni në radhë, qëndroni aty”, ka deklaruar Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas rregullave zgjedhore në shtetet amerikane, votuesit që ndodhen në radhë në momentin e mbylljes së qendrave kanë të drejtë të votojnë edhe pas orarit zyrtar, kur u vjen radha, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 03:19-Fitore historike në Georgia

Demokratja Keisha Lance Bottoms fiton garën për guvernatore në Georgia, bëhet gruaja e parë afro-amerikane në këtë post.

Demokratja Keisha Lance Bottoms ka fituar garën për guvernatore në Georgia, duke ia marrë këtë post republikanëve, sipas projeksionit të rrjetit NBC News.

Fitorja shënon një moment historik në SHBA, pasi Bottoms bëhet gruaja e parë afro-amerikane e zgjedhur guvernatore në historinë e vendit.

Rezultati përbën gjithashtu një fitore të rëndësishme për demokratët, të cilët kanë arritur të marrin një post të rëndësishëm shtetëror nga republikanët.

04/11/2026 03:12-Trump përballë një prove vendimtare - çfarë rrezikon në zgjedhjet e mesmandatit?

Zgjedhjet e mesmandatit zakonisht shërbejnë si një referendum për presidentin dhe partinë e tij. Në këtë rast, në qendër të vëmendjes është presidenti amerikan Donald Trumpi, i cili ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të tij të dytë, në një kohë kur pakënaqësia ndaj qeverisjes së tij po rritet.

Të gjitha ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e ulëseve në Senat janë në garë. Rezultati mund të ketë pasoja shumë më të mëdha sesa vetë garat individuale, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 03:01-Amerikanët zgjedhin senatorin e parë homoseksual në historinë e SHBA-së

Demokrati Chris Pappas ka fituar garën për Senatin amerikan në New Hampshire, duke mposhtur republikanin John Sununu dhe duke penguar rikthimin e tij në Kongres pas 20 vjetësh.

Me këtë fitore, demokratët kanë ruajtur ulësen e senatores Jeanne Shaheen, e cila nuk garoi për një mandat të ri pas 18 vjetësh në Senat.

Pappas bëhet anëtari i parë i deklaruar publikisht homoseksual në historinë e Senatit amerikan.

04/11/2026 02:46-Demokratët fitojnë ulësen e parë nga republikanët në garën për Senatin amerikan

Demokrati Roy Cooper ka fituar garën për Senatin amerikan në Karolinën e Veriut, duke mposhtur kandidatin republikan Michael Whatley.

Kjo është ulësja e parë në Senat që kalon nga republikanët te demokratët gjatë kësaj nate zgjedhore.

04/11/2026 02:30-Demokratët drejt fitores në Dhomën e Përfaqësuesve

Demokratët kanë epërsi të qëndrueshme në garën për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ku po regjistrojnë rezultate pozitive në disa distrikte të rëndësishme.

Sipas rezultateve të deritanishme, demokratët kryesojnë në 28 distrikte që më parë kontrolloheshin nga republikanët. Kjo tregon se ata po fitojnë terren në zona që në zgjedhjet e kaluara kishin votuar për kandidatët republikanë.

Në anën tjetër, republikanët janë në epërsi vetëm në një distrikt që më parë përfaqësohej nga demokratët. Megjithatë, rezultatet janë ende në proces numërimi dhe gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve mbetet e hapur.

04/11/2026 02:22-Dalin rezultatet e reja

Rezultatet e reja të projektuara nga CNN në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA tregojnë një epërsi të demokratëve në garën për Senatin, ku deri në momentin e publikimit të këtyre të dhënave janë projektuar 41 ulëse për ta, kundrejt 31 për republikanët.

Nga këto, 34 ulëse demokrate dhe 31 republikane nuk ishin në garë në këto zgjedhje.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë siguruar deri tani 28 ulëse, ndërsa republikanët 13.

Për të marrë kontrollin e kësaj dhome, një partie i nevojiten 218 nga gjithsej 435 ulëset.

Ndërkohë, në garat për guvernatorë, republikanët kanë 8 fitore, kundrejt 10 të demokratëve.

Këto janë rezultate paraprake dhe nuk paraqesin ende bilancin përfundimtar të zgjedhjeve.

04/11/2026 02:11-Ky është fituesi i parë pas rezultateve të para

Senatori demokrat Jon Ossoff ka mposhtur republikanin Mike Collins dhe ka fituar një mandat të ri në Georgia, duke ruajtur një ulëse të rëndësishme për demokratët në juglindje të SHBA-së.

Rezultatet e para në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA tregojnë një epërsi të demokratëve në garën për Senatin, ku deri në momentin e publikimit të këtyre të dhënave janë projektuar 35 ulëse për ta, kundrejt 31 për republikanët.

Nga këto, 34 ulëse demokrate dhe 31 republikane nuk ishin në garë në këto zgjedhje.

04/11/2026 02:08-Mbyllen qendrat e votimit në 20 shtete të tjera amerikane

Qendrat e votimit janë mbyllur në 20 shtete të tjera të SHBA-së, mes tyre Connecticut, Alabama, Delaware, Illinois, Maine, Maryland, Massachusetts, Michigan, Missouri, New Jersey, Oklahoma, Pennsylvania, Rhode Island, South Dakota, Texas, Mississippi, Kansas dhe Tennessee. Votimi ka përfunduar gjithashtu në Washington, kryeqytetin amerikan.

Vëmendje e veçantë po u kushtohet garave për Senatin në Kansas, Texas, Michigan dhe Maine, ku rezultatet mbeten të paqarta dhe po ndiqen nga afër.

Pranimi i rezultateve nga këto shtete pritet të jetë me rëndësi për përcaktimin e përbërjes së Senatit amerikan.

04/11/2026 01:52-Historia paralajmëron Trumpin, partitë në pushtet zakonisht ndëshkohen në zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti amerikan, Donald Trump, rrezikon të humbë shumicën në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit, pasi historia politike në SHBA tregon se partia e presidentit në detyrë zakonisht pëson humbje në këto zgjedhje.

Republikanët po përballen me mundësinë që demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe, potencialisht, edhe të Senatit.

Gjatë 20 zgjedhjeve të fundit të mesmandatit, partia e presidentit ka humbur ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve në 18 raste. Përjashtim bëjnë zgjedhjet e vitit 2002, kur republikanët fituan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, dhe ato të vitit 1998, kur demokratët e presidentit Bill Clinton arritën ta ruanin shumicën, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 01:19-Dalin rezultatet e para

Rezultatet e para të projektuara nga CNN në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA tregojnë një epërsi të demokratëve në garën për Senatin, ku deri në momentin e publikimit të këtyre të dhënave janë projektuar 35 ulëse për ta, kundrejt 31 për republikanët.

Nga këto, 34 ulëse demokrate dhe 31 republikane nuk ishin në garë në këto zgjedhje, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 01:07-Mbyllen qendrat e votimit në gjashtë shtete amerikane

Qendrat e votimit sapo janë mbyllur në gjashtë shtete të tjera amerikane: Florida, Georgia, South Carolina, Vermont, Virginia dhe New Hampshire.

Pak më herët, votimi përfundoi edhe në Kentucky dhe Indiana, duke vazhduar kështu mbylljen graduale të qendrave të votimit përgjatë bregut lindor të SHBA-së.

Pranimi i rezultateve të reja zgjedhore pritet të nisë së shpejti.

04/11/2026 01:02-Minaj, Tyson dhe Mayweather në New Hampshire

Reperja Nicki Minaj dhe boksieri Mike Tyson janë shfaqur të martën në New Hampshire, në kuadër të përpjekjeve të fundit të republikanëve për të fituar një ulëse në Senatin amerikan.

Minaj u pa pranë një qendre votimi në Derry, ndërsa Tyson në Manchester. Në këtë shtet u shfaqën edhe boksieri Floyd Mayweather dhe ish-lojtari i NFL-së, Rob Gronkowski, në aktivitete që lidhen me organizatën konservatore Turning Point Action.

New Hampshire po zhvillon një garë të ngushtë për Senat mes republikanit John Sununu dhe demokratit Chris Pappas,

04/11/2026 00:39-Pse është e rëndësishme fitorja për Kongresin amerikan?

Në zgjedhjet e sotme, amerikanët vendosin se kush do ta kontrollojë Kongresin, gjë që do të ndikojë në atë se sa do të jetë në gjendje presidenit Donald Trump ta zbatojë politikën e tij gjatë dy viteve të mbetura të mandatit.

Kongresi është parlamenti amerikan dhe përbëhet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, shtetet më të mëdha kanë më shumë përfaqësues, pasi kanë popullsi më të madhe. Ndërsa në Senat, secili shtet dërgon nga dy senatorë, pavarësisht numrit të banorëve, më shumë klikoni këtu.

04/11/2026 00:23-Nuk i pëlqeu ajo që dëgjoi, Trump sulmon ashpër komentatoren e Fox News

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale ndaj komentatores së Fox News, Jessica Tarlov, duke kritikuar ashpër zërin dhe paraqitjen e saj televizive, ndërsa po ndiqte rezultatet paraprake të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Trump e cilësoi Tarlovën si “të trashë si gur” dhe “humbëse”, duke thënë se nuk mund ta duronte zërin e saj. Ai shtoi se do të kalonte në një kanal tjetër televiziv derisa komentatorja të largohej nga transmetimi.

“Do të kthehem më vonë”, shkroi Trump në fund të postimit, duke iu referuar përcjelljes së rezultateve zgjedhore në Fox News.

04/11/2026 00:15-Mbyllen disa prej vendvotimeve

Dielli ka nisur të perëndojë në Ditën e Zgjedhjeve në SHBA, pasi grupet e para të qendrave të votimit i mbyllën zyrtarisht dyert në orën 18:00, sipas kohës lindore amerikane, në shtetet Kentucky dhe Indiana.

Kjo shënon fillimin e një faze të re të mbrëmjes zgjedhore: publikimin e rezultateve të sondazheve me votuesit pas daljes nga vendvotimet.

04/11/2026 00:01-Së shpejti mbyllen vendvotimet e para

Ky është orari i mbylljes së vendvotimeve në shtetet amerikane:

- 00:00: Disa pjesë të Indiana dhe Kentucky.

- 01:00: Florida, Georgia, South Carolina, Vermont, Virginia, e gjithë Indiana dhe Kentucky, si dhe disa pjesë të New Hampshire.

- 01:30: North Carolina, Ohio dhe West Virginia.

- 02:00: Alabama, Connecticut, Delaware, Illinois, Maine, Maryland, Massachusetts, Mississippi, Missouri, i gjithë New Hampshire, New Jersey, Oklahoma, Pennsylvania, Rhode Island, Tennessee, Washington D.C., pjesa më e madhe e Florida, Kansas, Michigan, North Dakota dhe South Dakota, si dhe Texas.

- 02:30: Arkansas.

- 03:00: Arizona, Colorado, Iowa, Louisiana, Minnesota, Nebraska, New Mexico, New York, Wisconsin dhe Wyoming, si dhe pjesa tjetër e Kansas, Michigan, North Dakota, South Dakota dhe Texas.

- 04:00: Montana, Nevada dhe Utah.

- 05:00: California, Washington, Idaho dhe Oregon.

- 06:00: Hawaii dhe Alaska.

03/11/2026 23:57-Sondazhet e fundit u japin përparësi demokratëve

Ndërsa në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, dhomën e ulët të Kongresit amerikan, pritet që demokratët të fitojnë pa ndonjë garë të fortë, beteja për Senatin është jashtëzakonisht e ngushtë.

Fitorja e demokratëve në dhomën e ulët do të ishte në vetvete një goditje për Trumpin, por marrja e kontrollit të të dyja dhomave do të përbënte një goditje të madhe për reputacionin e tij dhe do t’ia kufizonte kompetencat. më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 23:28-Garat vendimtare në zgjedhjet e mesmandatit që duhet t’i ndiqni sonte

Zgjedhjet e mesmandatit përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan dhe, rrjedhimisht, agjendën legjislative të shtetit më të fuqishëm në botë.

Për të përmbysur shumicën aktuale republikane në Kongres, demokratët duhet të fitojnë së paku tri ulëse neto në Dhomën e Përfaqësuesve dhe katër ulëse në Senat, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 23:08-Dy kandidatë me emër dhe mbiemër të njëjtë

Një situatë e pazakontë është krijuar në garën për një vend në Senatin amerikan, në shtetin e Alaskës, ku dy kandidatë me emra pothuajse të njëjtë po garojnë në zgjedhjet e mesmandatit. Bëhet fjalë për senatorin aktual republikan Dan S. Sullivan dhe kandidatin e pavarur Daniel J. Sullivan Jr., një mësues në pension.

Daniel J. Sullivan fillimisht kishte tentuar të regjistrohej në garë me emrin Dan Sullivan dhe si republikan, por autoritetet zgjedhore të Alaskës e kishin përjashtuar, duke pretenduar se kandidimi i tij mund të krijonte konfuzion te votuesit. Ai e kundërshtoi vendimin në gjykatë dhe arriti të rikthehej në garë. Në fletëvotim, dy kandidatët do të paraqiten me iniciale të ndryshme, për t'i dalluar nga njëri-tjetri.

Rasti ka nxitur reagime edhe në kampin republikan, ku presidenti amerikan, Donald Trump dhe përfaqësues të tjerë kanë ngritur shqetësime se ngjashmëria e emrave mund t'i ngatërrojë votuesit dhe të ndikojë në rezultat. Daniel J. Sullivan i ka mohuar pretendimet se kandidimi i tij synon të mashtrojë elektoratin.

03/11/2026 22:28-Pjesëmarrje e lartë e votuesve në shtetet kyçe amerikane

Më shumë se 2.3 milionë votues në shtetin e Michiganit kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, që përbën më shumë se një të tretën e të gjithë votuesve të regjistruar. Pjesëmarrje e shtuar po shënohet edhe në shtetet e tjera ku zhvillohen gara të ngushta për Senat.

Votimi i parakohshëm në Michigan tashmë ka tejkaluar shifrat e zgjedhjeve të mëparshme të mesmandatit presidencial, të mbajtura në vitin 2022, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 22:11-Pse Trump vendosi të ndërpresë financimin e Izraelit?

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Izraelin, duke e lidhur vendimin me kritikat e kandidatit demokrat për Senat, Abdul El-Sayed, ndaj mbështetjes së pakushtëzuar amerikane për këtë vend.

Trump deklaroi se Izraeli nuk ka nevojë për ndihmën financiare amerikane dhe mund të blejë pajisje ushtarake me paratë e veta. Ai e vlerësoi ndihmën vjetore të SHBA-së për Izraelin në rreth katër miliardë dollarë, më shumë klikoni KËTU.

03/11/2026 21:42- Edhe nga hapësira mund të votosh, astronauti amerikan hedh votën nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor

Astronauti amerikan Anil Menon ka ushtruar të drejtën e tij të votës nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), duke dëshmuar se edhe distanca prej qindra kilometrash nga Toka nuk përbën pengesë për pjesëmarrjen në proceset demokratike.

Menon, i cili ndodhet në orbitë rreth 400 kilometra mbi Tokë, së bashku me dy shtetas të tjerë amerikanë që janë pjesë e ekuipazhit, ka plotësuar fletëvotimet në mënyrë elektronike dhe më pas i ka dërguar ato në mënyrë të sigurt te autoritetet përkatëse zgjedhore, më shumë këtu.

03/11/2026 21:07- Si bëhet numërimi i votave në SHBA dhe kur priten rezultatet e para?

Në Shtetet e Bashkuara, secili shtet është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe zbaton rregullat e veta për përpunimin dhe numërimin e votave.

Disa shtete fillojnë përpunimin e votave të hedhura para Ditës së Zgjedhjeve, ndërsa të tjerat e nisin këtë proces vetëm pasi të mbyllen vendvotimet, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 20:43- Votimi i hershëm në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA tejkalon shifrën totale të vitit 2022

Me Ditën e Zgjedhjeve tashmë në zhvillim të plotë, të dhënat e fundit tregojnë se numri i votave të hedhura para ditës së votimit ka tejkaluar totalin e regjistruar në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.

Sipas të dhënave nga 47 shtete dhe Distrikti i Kolumbias, të mbledhura nga CNN, Associated Press dhe kompania Catalist, deri më tani janë regjistruar mbi 58.5 milionë vota të hedhura para Ditës së Zgjedhjeve.

Kjo shifër është më shumë se një milion vota mbi totalin e votimit të hershëm në vitin 2022. Megjithatë, të dhënat nuk janë të plota, pasi për disa shtete mungojnë informacione ose ato janë të kufizuara.

Për më tepër, kjo shifër nuk përfshin miliona fletëvotime që pritet të dorëzohen me postë gjatë ditës së sotme dhe në ditët në vijim.

Kompania Catalist ofron të dhëna dhe analiza për demokratët, akademikët dhe organizatat jofitimprurëse, përfshirë informacione mbi votuesit që kanë marrë pjesë në zgjedhje përpara ditës zyrtare të votimit.

03/11/2026 19:57- Kush janë donatorët më të mëdhenj në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në vitin 2026?

Edhe pse Elon Musk është larguar nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai vazhdon të ketë ndikim në politikën amerikane përmes financimit të fushatave dhe organizatave politike.

Sipas një analize të Qendrës Brennan për Drejtësi, Musk është donatori më i madh në ciklin zgjedhor të vitit 2026, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 19:27- Tre skenarët e mundshëm për rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA

Pas muajsh të tërë fushate dhe miliarda dollarësh të shpenzuar, amerikanët më në fund po votojnë në zgjedhjet e mesmandatit.

Sondazhet e fundit publike sugjerojnë se demokratët janë në pozitë më të favorshme, por anketat nuk kanë qenë gjithmonë të sakta dhe rezultatet e këtij viti mund të sjellin surpriza, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 18:14- Sa amerikanë votojnë në zgjedhjet e mesmandatit dhe pse pjesëmarrja ka rëndësi?

Radhë të gjata janë parë sot në qendrat e votimit në Shtetet e Bashkuara, ku miliona qytetarë po presin të hedhin votën e tyre në zgjedhjet që, në shumë aspekte, po konsiderohen si një referendum kombëtar për presidentin Donald Trump.

Megjithatë, ndonëse miliona amerikanë marrin pjesë në këto zgjedhje, historikisht pjesëmarrja në zgjedhjet e mesmandatit ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet presidenciale, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 17:43- Dy çështjet kryesore që shqetësojnë votuesit amerikanë

Teksa qytetarët amerikanë po votojnë, inflacioni dhe kostoja e jetesës pritet të jenë ndër shqetësimet kryesore të shumë prej tyre.

Sipas një sondazhi të YouGov, të realizuar në fund të tetorit, 32 për qind e amerikanëve e renditën inflacionin dhe çmimet si çështjen më të rëndësishme, ndërsa 13 për qind përmendën vendet e punës dhe ekonominë, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 16:41- Zgjedhjet për Kongresin nuk janë të vetmet që duhen ndjekur në SHBA

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktojnë vetëm përbërjen e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Ato vendosin gjithashtu se kush do të drejtojë qeveritë e 36 prej 50 shteteve amerikane.

Gara për postet e guvernatorëve po tërheq vëmendje të veçantë, pasi disa prej kandidatëve mund t’i shfrytëzojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve për të forcuar pozitat e tyre në prag të garës presidenciale të vitit 2028, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 15:57- SHBA angazhon numër rekord vëzhguesish për zgjedhjet e mesmandatit

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur programin më të madh të monitorimit të zgjedhjeve në historinë e vendit, në kuadër të zgjedhjeve të këtij viti për Kongresin.

Rreth 1,000 vëzhgues janë angazhuar në qendrat e votimit në të 50 shtetet amerikane, një numër dukshëm më i lartë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, më shumë klikoni këtu.

03/11/2026 15:29-Sa vende zotërojnë demokratët dhe republikanët në Kongres?

Aktualisht, republikanët zotërojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan – në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Ata kanë 218 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila përbëhet nga 435 anëtarë, plus një përfaqësues të pavarur që voton së bashku me ta.

Demokratët kanë 214 vende në Dhomën e Përfaqësuesve. Aktualisht, dy vende janë bosh; secila parti mbante më parë nga një prej tyre. Demokratëve u duhet të fitojnë tri vende për të marrë kontrollin e Dhomës.

Në Senatin me 100 vende, republikanët zotërojnë 53 vende, ndërsa demokratët kanë 45, plus dy të pavarur që rreshtohen me ta, duke e çuar bllokun demokrat në 47 vende.

Për të fituar kontrollin e Senatit, demokratëve u duhet të fitojnë katër vende.

Një ndarje 50 me 50 do t'ua linte kontrollin republikanëve, pasi Zëvendëspresidenti JD Vance ka votën vendimtare në rast barazimi.

Këtë vit, 35 vende në Senat janë objekt zgjedhjesh. Nga këto 35 vende, republikanët zotërojnë 22, ndërsa demokratët 13.

03/11/2026 15:00-Cilat janë disa nga çështjet kryesore që “shqetësojnë votuesit amerikanë”?

Cilat janë disa nga çështjet kryesore në zgjedhjet e mesmandatit që “shqetësojnë votuesit amerikanë”?

Shtetet e Bashkuara janë duke mbajtur zgjedhjet e mesmandatit, të cilat pritet të jenë ndër më të ngushtat dhe më të rëndësishmet e viteve të fundit.

Por, cilat janë disa nga çështjet kryesore në zgjedhjet e mesmandatit?

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

03/11/2026 14:43-Amerikanët vërshojnë në qendrat e votimit, ndërsa procesi i votimit është në zhvillim e sipër

Amerikanët po dalin në votime në të gjithë gjysmën lindore të SHBA-së, për të hedhur votën e tyre në këto zgjedhje vendimtare të mesmandatit.

Radhë të gjata po krijohen pranë qendrave të votimit në shtete si Nju Jorku, Xhorxhia, Miçigani dhe Pensilvania.

03/11/2026 14:19-Moti ndikon në votime në disa shtete të SHBA-së

Në Florida, të paktën 18 qendra votimi janë zhvendosur pasi reshjet e dendura të shiut gjatë natës shkaktuan përmbytje të menjëhershme vonë të hënën dhe deri të martën.

Në Oklahoma, një tornado të dielën detyroi një qendër votimi të ndryshonte lokacionin pasi dëmtoi një qendër komunitare të përdorur për votim.

Në Utah, guvernatori ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka ofruar një akomodim të posaçëm në Qarkun San Juan.

Parashikuesit e motit parashikonin përmbytje të menjëhershme të mundshme në pjesë të Alabamës, Tenesit, Arkansasit dhe Misisipit të martën, ndërsa një sistem stuhie u zhvendos në lindje nga SHBA-ja qendrore.

03/11/2026 14:16-Trump bën një sërë thirrjesh të minutës së fundit për të votuar për republikanët e lëvizjes MAGA

Presidenti Donald Trump ka publikuar më shumë se 40 postime në "Truth Social", duke u bërë thirrje mbështetësve që të dalin e të votojnë për republikanët që mbështesin lëvizjen MAGA dhe që kandidojnë për në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në njërin prej postimeve, ai e përshkruan kongresmenin Clay Higgins – i cili kandidon për rizgjedhje në Luizianë – si një "luftëtar të MAGA-s" dhe një "patriot që e vendos Amerikën në plan të parë".

Ai e përshkruan Paul LePage-in, ish-guvernatorin e Meinit që tani kandidon për t'u bërë anëtar i Kongresit, si një "luftëtar të sprovuar që e vendos Amerikën në plan të parë".

Postimet e tij përfshinin kandidatë që garojnë në Luizianë, Arizona, Minesota, Nevada, Nju Jork, Teksas, Alaskë, Mein, Montana, Karolinën e Jugut, Alabama, Kentaki, Miçigan, Florida dhe Indiana.

03/11/2026 13:20-Këto janë zgjedhjet e ndërmjetme më të shtrenjta ndonjëherë

Sipas "OpenSecrets", organizatës që monitoron shpenzimet politike, shuma totale e shpenzuar për zgjedhjet e ndërmjetme të këtij viti pritet të arrijë në 11,93 miliardë dollarë.

Kjo i bën ato më të shtrenjtat në historinë e SHBA-së.

Demokratët pritet të shpenzojnë 5,52 miliardë dollarë, republikanët 5,12 miliardë dollarë, ndërsa kandidatët e pavarur 1,3 miliardë dollarë.

Në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2022 u shpenzuan gjithsej 8,94 miliardë dollarë; pra, shifra e këtij viti shënon një rritje prej rreth një të tretës.

Vetëm dy palë zgjedhje të tjera kanë regjistruar shpenzime të tilla për fushatat, krahasuar me zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2026: zgjedhjet presidenciale të viteve 2020 dhe 2024, të cilat kushtuan secila rreth 15 miliardë dollarë.

03/11/2026 13:15 - Çfarë “i ndodhi” Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit gjatë mandatit të tij si president në vitin 2018

Çfarë “i ndodhi” Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit gjatë mandatit të tij si president në vitin 2018

Donald Trump me siguri shpreson që historia të mos përsëritet, duke pasur parasysh përballjen me zgjedhjet e ndërmjetme ndërsa është në detyrë.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, në vitin 2018, demokratët – të udhëhequr nga Nancy Pelosi – siguruan kontrollin e 235 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, duke fituar 40 vende shtesë, ndërsa republikanët siguruan 199 vende.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

03/11/2026 12:48-Votimi fillon në shtete të ndryshme të SHBA-së

Qendrat e votimit janë hapur në shtetet e SHBA-së lindore.

Votimi filloi në orën 06:00 me orën lokale New York, Connecticut, New Jersey, Virginia dhe pjesë të Indiana dhe Kentucky.

Ndërkohë, në pjesë të tjera të vendit votimi është planifikuar të nisë në orare të ndryshme.

Putini në panik para zgjedhjeve në SHBA – thotë kongresmeni Whitesides

Putini në panik para zgjedhjeve në SHBA – thotë kongresmeni Whitesides

Presidenti rus Vladimir Putin është në panik ndërsa parashikon një ndryshim në përbërjen e Kongresit amerikan.

Sipas kongresmenit demokrat George Whitesides, ai dhe presidenti Donald Trump po përpiqen ta detyrojnë Ukrainën të bëjë lëshime të pafavorshme, përpara se Kongresi i sapozgjedhur të fillojë punimet në janar.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Mbi 58 milionë vota të hedhura në një pjesëmarrje rekord për votimin e hershëm

Sipas një analize të Universitetit të Floridës, pothuajse 58,7 milionë nga rreth 210 milionë votues të regjistruar kanë votuar herët në zgjedhjet e mesmandatit.

Kjo shifër përfshin 31,9 milionë vota të hedhura fizikisht dhe 26,8 milionë vota me postë; një rritje e ndjeshme krahasuar me 46 milionë votuesit që votuan herët në vitin 2022.

Ky total përbën më shumë se gjysmën e 122 milionë votave të hedhura gjithsej në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.

Ndër shtetet që regjistrojnë përkatësinë partiake, 12,5 milionë nga votuesit e hershëm ishin demokratë të regjistruar, krahasuar me rreth 9 milionë republikanë të regjistruar.

Të 50 shtetet lejojnë votimin me postë, ndërsa shumica dërrmuese ofrojnë gjithashtu mundësinë e votimit të hershëm fizikisht. /Telegrafi/

Në çfarë orari hapen qendrat e votimit në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 në SHBA?

Orari i votimit përcaktohet dhe vendoset nga secili shtet.

Qendrat e para të votimit pritet të hapen në Vermont. Votimi në Nju Xhersi, Virxhinia, Konektikat dhe Kentaki do të fillojë në orën 06:00 (12:00, sipas kohës në Kosovë).

Në Xhorxhia, Florida, Pensilvani dhe Nju Jork, votimi do të fillojë midis orës 06:00 (12:00, sipas kohës në Kosovë) dhe 07:00 (13:00, sipas kohës në Kosovë), ndërsa në Ohajo dhe Karolinën e Veriut, votimi do të nisë në orën 06:30 (12:30, sipas kohës në Kosovë).

Në Miçigan, qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 (13:00, sipas kohës në Kosovë).

Papa i parë amerikan në histori ka votuar tashmë në zgjedhjet e mesmandatit

Papa Leoni XIV ka votuar tashmë në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke dërguar fletëvotimin e tij përmes postës në Çikago, qytetin ku ka lindur.

Në një deklaratë të publikuar të premten, Vatikani përsëriti qëndrimin e Papës për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset demokratike, duke theksuar se kjo është njëkohësisht “e drejtë dhe detyrë” e tyre.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Trump përsërit premtimin për t’u dhënë 5 mijë dollarë çdo amerikani nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur premtimin se do t’i japë nga 5 mijë dollarë çdo të rrituri në SHBA, nëse Partia Republikane fiton zgjedhjet e mesmandatit.

Gjatë një fjalimi në Washington, D.C., Trump deklaroi se pagesa do të bëhej në rast të fitores së republikanëve, duke theksuar se paratë do të duhej të shpenzoheshin brenda Shteteve të Bashkuara.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Demokratët shpresojnë për fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por sa të sakta janë sondazhet?

Partia Demokratike në SHBA po hyn me pritshmëri të larta në zgjedhjet afatmesme, të cilat konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të vendit.

Një president republikan me nivel të ulët të mbështetjes, pakënaqësia e qytetarëve për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe faturave, si dhe sondazhet e favorshme të muajve të fundit, u japin demokratëve arsye të shpresojnë për një rezultat të mirë në zgjedhjet e së martës.

Sipas sondazheve, kandidatët demokratë kryesojnë në shumë më tepër se 218 zonat zgjedhore që u nevojiten për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, dhomës së ulët të Kongresit amerikan.

Ndërkohë, në garat kryesore për Senat, ata janë në barazim ose kanë një epërsi të lehtë.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA: Ku pritet gara më e fortë?

Këtë herë, amerikanët nuk votojnë se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, por se kush do të zerë vend në Kapitol: janë zgjedhjet e mesmandatit, të ashtuquajturat midterm elections.

Por ku zhvillohen “garat vendimtare”?

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA 2026: Çfarë janë ato dhe kur do të mësohen rezultatet?

Miliona amerikanë do t'u drejtohen kutive të votimit të martën, më 3 nëntor, për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA të vitit 2026.

Votimi do të përcaktojë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme dhe sa pushtet do të ketë presidenti Donald Trump për të çuar përpara agjendën e tij politike.

Por, çfarë janë saktësisht zgjedhjet e mesmandatit, kur do të dihen rezultatet dhe pse janë të rëndësishme?

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Çfarë mund të nënkuptojnë zgjedhjet e mesmandatit në SHBA për Ukrainën?

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, që mbahen më 3 nëntor, mund të ndikojnë në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit, në një kohë kur Ukraina po përballet me presionin në rritje të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Bajraktari u bën thirrje shqiptarëve dhe amerikanëve për të votuar: Demokracia mbrohet duke marrë pjesë në procesin zgjedhor

Veprimtari politik, Harry Bajraktari, u ka bërë thirrje shqiptarëve me drejt vote dhe amerikanëve, për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke u bërë apel që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, qoftë në zgjedhjet lokale, shtetërore apo federale.

Në mesazhin e publikuar, theksohet rëndësia e votës për forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

“Amerika në plan të parë”, Trump mobilizon votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi tubime në Iowa dhe Kansas të dielën ndërsa republikanët bënë përpjekjen e fundit për të mobilizuar votuesit përpara zgjedhjeve të mesmandatit të së martës.

Trump iu drejtua mbështetësve në Dubuque të Iowës, përpara se të udhëtonte drejt Salinës, në Kansas, ku u bëri thirrje votuesve të mbështesin kandidatët republikanë dhe të ruajnë kontrollin e partisë mbi Kongresin.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

Të pasurit në betejën për pushtet - miliarda dollarë në fushatat zgjedhore amerikane

Bernie Sanders kishte kritikuar prej vitesh klasën e miliarderëve.

Në dhjetor të vitit 2010, senatori nga Vermonti mbajti fjalim në Senat për më shumë se tetë orë e gjysmë, në shenjë proteste kundër një marrëveshjeje dypartiake për zgjatjen e uljeve të taksave për të pasurit. Kur kandidoi për president në vitin 2016, kjo çështje u bë temë e pothuajse çdo fjalimi të tij.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.